Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Foto: Facebook

Osmani kërkon nga sindikatat që të shqyrtojnë pakon e Qeverisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ana e sindikatave të vendit që të shqyrtojnë pakon e re të Qeverisë së Kosovës që u prezantua sot.

Ajo tha se e vlerëson pakon nga ana e qeverisë, që sipas saj janë masa që ndihmojnë sektorë të ndryshëm të shoqërisë që mos të cenohen tutje nga kriza në prag të stinës së dimrit.

“E inkurajoj BSPK-në, SBASHK-un dhe të gjitha sindikatat e tjera që në mirëbesim në anëtarësinë e tyre ta shqyrtojnë këtë pako, e cila i ndihmon përtej asaj rritjes në pagë, e cila do të jepet nga shtatori e tutje” – tha ajo.

Tutje Osmani shtoi se ndihma nuk është vetëm 50 euro siç mund të shihet nga dikush.

Ajo tha se ndihma është edhe në subvencionim të energjisë, tek anëtarët e tjerë të familjes që mund të jenë studentë, pensionistë e të tjerë.

“Pra ndihma për familjen kosovare është shumë më e madhe sesa ajo shifra prej 50 eurove që mund ta ketë parë dikush” – u shpreh Osmani.

Ajo tha se sot me prezantimin e pakos ekonomike, Qeveria e Kosovës ka bërë një hap të rëndësishëm drejt gjetjes së një zgjidhjeje dhe zbutjes së situatës ekonomike për familjet kosovare, duke përfshirë mësimdhënësit.

Tutje Osmani shtoi se tani është koha që sindikatat të tregojnë vullnet dhe jo, sipas saj, vetëm të japin një “jo” absolute.

Ajo gjithashtu shtoi se mendon që zgjidhja afatgjate mund të zgjidhet vetëm pasi të miratohet projekt Ligji për paga.

“Ky projekt ligj adreson dinjitëtshëm çështjën e pagave të mësimdhëmësëve, madje siç jam informuar sot nga ministrja e arsimit ka adresuar kërkesa edhe përtej kërkesave të SBASHKU-t” – tha e para e shtetit.

Osmani gjithashtu kërkoi që mësimi të fillojë menjëherë këtë të hënë.

“E drejta kushtetuese e fëmijëve në arsim nuk duhet të lejohet. Duhet t’i bashkojmë forcat që të përmirësojmë cilësinë e arsimit me nxënësit në qendër të vëmendjes” – tha e para e shtetit.

Ajo tutje shtoi se vazhdimisht ka qenë në kontakt me Qeverinë e Kosovës për të diskutuar lidhur me këtë çështje dhe një gjë të tillë do e vazhdojë edhe nesër.

Greva e përgjithshme është duke u mbajtur në Kosovë që nga 25 gusht nga një pjesë e punëtorëve të sektorit publik, përfshirë këtu edhe një pjesë të personelit arsimor.

Sot, kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për media prezantuan një pako të re për të përballur inflacionin.

Në këtë pako kanë qenë të përfshirë edhe zyrtarët publikë për të cilët është thënë se do të ndahen nga 50 euro nga muaji shtator.

Tutje është thënë se kjo pako përfshin subvencionimin e faturës së rrymës për ata që kursejnë energji elektrike, dyfishimin e asistencës sociale, 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, subvencionim prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat për tre muajt e parë dhe projektligji për punë publike për kompensimin e inflacionit për materiale ndërtimore dhe punë përcjellëse.