Osmani inkurajon viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës të aplikojnë për njohje të statusit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ritheksuar rëndësinë e ngritjes së vetëdijes për të drejtat e viktimave të luftës.

Ajo ka përsëritur thirrjen e saj që të shfrytëzohet e drejta e garantuar me ligj për njohje të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.

Sipas njoftimit, Osmani ka vlerësuar zgjatjen e afatit për aplikim për dy vite shtesë, ndërsa ka potencuar se është më rëndësi që kurdo që miratohen ndryshimet e ardhshme, afati i aplikimit të jetë i pakufizuar.

“Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, e gjenocidi nuk janë krime që mund të parashkruhen, prandaj edhe viktimat e këtyre krimeve të kryera nga regjimi i Millosheviqit duhet të kenë afat të pakufizuar për të parashtruar kërkesat për njohjen e statusit dhe të drejtave të tyre”- ka thënë Osmani.

Kështu ka deklaruar Osmani në një takim me anëtarët e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, të kryesuar nga kryetarja Leonora Selmani.

Sipas njoftimit për media, në takim u diskutua për punën e Komisionit, bashkëpunimin e vazhdueshëm me Presidencën, si dhe rëndësinë e koordinimit të rregullt ndërinstitucional në vazhdën e ndryshimeve të aprovuara në Kuvendin e Republikës në Ligjin, i cili ndër të tjera, trajton statusin dhe të drejtat e personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.

Tutje thuhet se në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me këtë Komision, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në tetor, si dhe për bashkëpunime në projekte e nisma të tjera të interesit të përbashkët.