Ambasadori amerikan Philip Kosnett dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani – Foto: Zyra e Presidentit

Osmani ia tregon prioritetet e saj në Presidencë ambasadorit amerikan

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka pritur sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Philip Kosnett.

Siç njofton Zyra e Presidentit, ambasadori Kosnett e uroi edhe njëherë Osmanin për marrjen e detyrës, duke theksuar që “ashtu siç Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të shkëlqyeshme me SHBA-të, e njëjta vlen dhe për SHBA-të dhe angazhimin e tyre karshi Kosovës”.

Presidentja Vjosa Osmani ka folur edhe për prioritetet dhe çështjet të cilat do t’i shtyjë përpara gjatë mandatit të saj.

Ajo citohet të ketë thënë se në përputhje me kompetencat kushtetuese, politika e jashtme, siguria, e forcimi tutje i shtetësisë do të jenë pa mëdyshje në fokus të parë, duke theksuar që do të punojë në mënyrë aktive për përmirësimin e vazhdueshëm të imazhit të vendit.

“Duke marrë parasysh situatën me pandeminë dhe nevojën për mobilizim ndër institucional për menaxhim të suksesshëm të saj, Presidentja Osmani pohoi që do të angazhohet për të ndihmuar në drejtim të sigurimit të vaksinave për qytetarët tanë. Ndërlidhur me çështjen e pandemisë, të dyja palët theksuan nevojën për respektim të plotë të masave të prezantuara të qeverisë, si mënyra më e sigurt dhe e duhur për të shpëtuar jetë”, thuhet në komunikatë.

Tutje në njoftim thuhet se  presidentja Osmani po ashtu e siguroi Ambasadorin Kosnett që do të angazhohet në plotni që të krijojë një platformë të mirëfilltë të dialogut me gjithë spektrin politik, “duke cekur që në këtë drejtim theks të veçantë do t’i jap konsultimeve me opozitën si dhe përfshirjen e tyre aktive në çështje të interesit të veçantë për vendin”.

Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës, të dielën e kaluar, me 71 vota pro të deputetëve.