Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosnett flet për iniciativat ekonomike në Ballkan dhe si duhet të tërheqë Kosova investitorë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka folur lidhur me iniciativat e viteve të fundit për një lidhje ekonomike mes vendeve të Ballkanit.

Sipas tij projekti i Mini-Schengenit u përkrah në ShBA pasi ka qenë në qendër të vëmendjes para një viti.

“Ka me dhjetëra propozime, nganjëherë konkurruese, për forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet fqinje. E kemi të ashtuquajturin Mini-Schengen, që ka ndryshuar në “Ballkani i Hapur”. Është CEFTA, me C; kryeministri Kurti e ka një program të ri, që e quajmë SEFTA, me S. Ekziston Procesi i Berlinit dhe plot tjerë. Njerëzit pyesin cilin e mbështesin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është e vërtetë se në Zotimet e Uashingtonit i referohemi vetëm aranzhimit të Mini-Schengenit, sepse ky projekt ishte në qendër të vëmendjes para një viti”, ka thënë Kosnett.

Ambasadori Kosnett në emisionin “Kallxo Përnime” potencoi se Kosovës i nevojiten marrëdhënie ekonomike me shtetet fqinje.

“Ajo që administrata e kaluar përpiqej të theksojë – e sërish, kjo është ende politikë e Administratës Biden – ishte se lidhjet më të forta ekonomike ndërmjet Kosovës dhe fqinjëve të saj do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të rëndomtë”, ka thënë ai.

Kosnett tha se një prej arsyeve pse ndërmarrjet amerikane hezitojnë të investojnë në Kosovë janë mungesa e lidhjeve ekonomike mes Kosovës dhe fqinjve, korrupsioni dhe sistemi i ngadalshëm gjyqësor.

“Ndërmarrjet amerikane e shohin Kosovën si një vend që nuk ka lidhje të forta ekonomike me fqinjët e saj, e shohin një vend ku ende duhet punuar për sistemin e drejtësisë. Kur flas me afaristët amerikanë, ata nuk thonë: “Shqetësohem se nëse investoj në Kosovë do të më kërkojnë të paguaj ryshfet”. Ata thonë se sistemi gjyqësor është shumë i ngadalshëm dhe se ka burokraci e pengesa të shumta”, potencoi Kosnett.

Ambasadori potencoi se Kosova si shtet i vogël shihet po ashtu si treg i vogël nga kompanitë amerikane.

Sipas tij, Kosova duhet të bëjë tarifa më të ulëta se vendet e rajonit për të tërhequr investitorë dhe lidhje më të mira të transportit.

“Kosova të ketë lidhje më të forta ekonomike me fqinjët, që do të thotë edhe tarifa më të ulëta nga të gjitha vendet e rajonit, lidhje më të mira të transportit, e për këtë arsye kemi folur për linjat hekurudhore, autostradat dhe lidhjet ajrore, ashtu që rajoni të bëhet ekonomi e integruar dhe që nëse ndërmarrjet ndërtojnë fabrikë këtu, ato mund të shesin më lehtë jo vetëm në Ballkan, por në tërë Evropën”, tha ai.