Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ambasadori Kosnett flet rreth akuzave se ShBA ndikoi në rrëzimin e Qeverisë Kurti 1

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se fakti që ShBA para një viti nuk pajtohej me disa politika të Qeverisë Kurti 1 ka pasur rol në prishjen e koalicionit të LDK-së me Vetëvendosjen.

Sipas tij, e gjitha kjo ka ndodhur në pajtim më Kushtetutën e Kosovës.

“Qartazi, fakti që administrata e ShBA-së dhe Qeveria Kurti kishin mospajtime për disa çështje të politikave luajti rol në prishjen e koalicionit të LDK-së me Vetëvendosjen. Mendoj se kjo është e qartë. Njerëzit do të shkruajnë kohë të gjatë për këtë, por do ta theksoja se çdo gjë që ndodhi, ndodhi në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Kosnett.

Ambasadori shtoi se drejtuesit e vendit luajtën lojën afatgjatë.

“Atëkohë kishte njerëz që thoshin se kjo tregonte se demokracia e Kosovës nuk mund të evoluonte dhe zëri i popullit nuk do të dëgjohej, por shiko tani, pas një viti e gjysmë: kush është presidente, kush është kryeministër. Mendoj se votuesit dhe udhëheqësit politikë të vendit luajtën lojën afatgjatë”, ka thënë Kosnett.

Sipas tij, opozita tani po përpiqet të kthejë sa më shumë votues.

“E tani po e shohim qëndrimin e partive opozitare në Kosovë dhe më duket se LDK dhe PDK po e shqyrtojnë seriozisht çështjen se si t’i tërheqin votuesit. P.sh. ata e panë që gratë dhe të rinjtë votuan për ndryshim; votuan për një qeveri, një koalicion që premtoi se do të ndërmerrte përpjekje serioze kundër korrupsionit”, shtoi tutje ai.

Lidhur me faktin se shumë herë politikanët në Kosovë etiketohen ai anti-amerikanë, ai ka thënë se pas kaq vitesh që shërben në Kosovë, nuk ka takuar ndonjë person që do e quante anti-amerikan.

“E kam vërejtur se dy kritikat më të mëdha, dy armët që njerëzit i përdorin kundër njëri-tjetrit janë akuzat se janë të korruptuar ose anti-amerikanë. Nuk e besoj që cilado parti politike është anti-amerikane dhe nuk mendoj se e kam takuar ndonjë person në këtë vend që do ta quaja anti-amerikan”, ka thënë Kosnett.