Osmani e Kurti në Paris për Forumin e Paqes, pritet takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë udhëtuar për në Francë për të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris.

Krahas pjesëmarrjes në këtë forum, kryeministri Kurti ka thënë se mund ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne”- ka thënë Kurti përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook.

Në anën tjetër presidentja Osmani pritet të jetë edhe folëse në këtë forum.

Sipas komunikatës së presidencës, bëhet e ditur se krahas aktiviteteve të forumit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë tjerë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave aktuale të paqes dhe sigurisë, por pa dhënë më shumë detaje.

Shkuarjen në Paris e ka konfirmuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mediat serbe dje raportuan se presidenti serb Vuçiq ka thënë se do të jetë në Paris dhe do të takohet me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.

Kurti: Nesër udhëtoj për në Francë, ndoshta takohem edhe me Vuçiqin