Kurti: Nesër udhëtoj për në Francë, ndoshta takohem edhe me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nesër do të udhëtojë për në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.

Kurti përmes një video ka thënë se ndoshta gjatë kësaj vizite do të ketë një takim trilateral edhe me Aleksandar Vuçiqin.

Ai ka thënë se me vete do të ketë ekipin e tij gjashtëanëtarësh nga Kryeministria.

“Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë” – ka thënë kryeministri Kurti.