Parku i Gërmisë | Foto: KALLXO.com

Organizata Botërore për Mbrojtje të Natyrës mbështet OJQ-të lokale në lidhje me parkun e aventurave në Gërmi

Organizata Botërore për Mbrojtje të Natyrës (WWF Adria) ka dalë në mbështetje të organizatave lokale dhe ambentalistëve, në lidhje me shqetësimin e tyre për ndërtimin e parkut të aventurave në Gërmi.

Sipas një njoftimi, Komuna e Prishtinës është duke planifikuar ndërtimin e një parku të aventurave brenda Gërmisë, në zonën e II-të të mbrojtjes.

Ndërsa në anën tjetër, disa OJQ vendore kanë shprehur shqetësimin lidhur me vendin ku planifikohet ndërtimi i këtij parku.

OJQ-të konsiderojnë se aspekti i bimësisë në Gërmi, si grumbullimi i llojit të ahut Fagus Sylvatica mund të shërbejë si monument natyror. Pastaj aspekti logjistik, që sipas OJQ-ve, projekti në fjalë për ndërtimin e parkut të aventurave, nuk e ka të planifikuar insfrastrukturën e nevojshme për parking.

“Bazuar në arsyet e lartëcekura kemi propozuar ndryshimin e lokacionit të këtij projekti. Gërmia ka rreth 2000 ha sipërfaqe, qasje me rrugë të asfaltuara dhe atraksione të tjera natyrore. Duke konsideruar se Parku i Aventurave nuk kërkon lloj specifik të drurit (siç është ahu), mendojmë se ndërtimi i këtij parku do ta bënte Gërminë atraktive edhe në pjesë të tjera duke shpërndarë vizitorët në një hapësirë tjetër”, thuhet në komunikatë.

Këto OJQ lokale kanë kërkuar që të pritet deri në finalizimin dhe aprovimin e Planit Menaxhues të Peisazhit të Mbrojtur në Gërmi; Të respektohen rekomandimet e Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Natyrës; Të respektohen aktet ligjore për zonat e mbrojtura dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis; Si dhe të respektohen procedurat e projektimit, dëgjimit publik dhe shqyrtimit të propozimeve nga qytetarët.