Koncerti i Dua Lipës në Prishtinë. Foto: Dua Lipa/Instagram

Policia del me njoftim për festivalin “Sunny Hill”, tregon se cilat rrugë do të bllokohen

Policia e Kosovës ka njoftuar për aktivitetet të cilat do ta sigurojnë mbarëvajtjen e festivalit “Sunny Hill”, i cili do të mbahet në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, ka hartuar planin operativ në të cilin parashihen detyra konkrete për zyrtarët policorë të angazhuar në këtë operacion, për festivalin që do të mbahet nga data 4 gusht deri më 7 gusht.

Qarkullimi do të ndalet për mjetet motorike dhe qytetarët në rrugën “Dr.Shpëtim Robaj”, që nga hyrja në parkun Gërmia (te laura) e deri në kryqëzimin e rrugës me fshatin Butovc, duke lejuar vetëm automjetet e policisë, ndihmës së shpejtë, zjarrfikësve si dhe mjetet e akredituara në shërbim të festivalit.

Policia ka njoftuar se kjo do të bëhet për shkak të fluksit të madh të automjeteve dhe personave që pritet të frekuentojnë festivalin.

“Policia falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe kërkon që të shfrytëzohen rrugët tjera nga qytetarët që mësyjnë Butovcin (rrugën nëpër Kolovicë) ose pjesën e epërme të Gërmisë (rrugën nga Matiqani)”, thuhet në njoftimin e policisë.