Ilustrim

Operacioni kundër drogës “Golfi”, Policia arreston edhe dy të dyshuar

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar edhe dy persona të dyshuar në lidhje me aksionin e ndërmarrë nga Njësia e Antidrogës të dielën, kur katër të tjerë përfunduan në pranga me ç’rast u konfiskua një sasi e narkotikëve, kryesisht marihuanë.

Policia thotë se sot Njësia e Antidrogës në Prishtinë ka arritur t’i lokalizojë edhe dy persona të dyshuar që ndodheshin në arrati me iniciale G.M. dhe Sh.M., të cilët ndodheshin në kërkim nga data 13.1.2024, që dyshohet se janë të përfshirë në rastin e cekur.

“Gjatë një operacioni taktik sot rreth orës 14:00 Njësia e antidrogës në Prishtinë në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin G.M., në brendi të shtëpisë së cilën strehohej, kurse Sh.M. është arrestuar në një shtëpi afër gjatë tentim arratisjes”- thuhet në komunikatë.

Në shtëpinë në të cilën ishin duke u strehuar të dyshuarit, Policia thotë se janë gjetur dëshmi relevante si në vijim: një revole me një karikator dhe 16 fishekë, tre karikatorë të armës AK-47, një lidhëse e ‘Tromblonit’, dy pajisje për pastrim të armës, si dhe një qese me narkotik të dyshuar të llojit marihuanë me peshë 6.4 gramë.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Krimeve të Rënda dhe me urdhër të tij i dyshuari Sh.M. dërgohet në burg për vuajtje të dënimit prej dy vite e gjashtë muaj, kurse i dyshuari G.M. dërgohet në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.

Në operacionin e koduar “GOLFI”, të dielën Policia sekuestroi drogë, armë zjarri dhe një granatë dore. Kontrolli i shtëpisë i të dyshuarit Y.A. rezultoi në gjetjen e paketimeve të ndryshme me substancë të dyshuar narkotike, armë zjarri, fishekë, telefona celularë dhe para të gatshme.

Gjithashtu, u gjetën substancat e dyshuara narkotike dhe një granatë dore në një shtëpi të pabanuar përballë shtëpisë së të dyshuarit. Dy prej të dyshuarve janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe rasti është nën hetim nga njësitë kompetente të antidrogës.

Antidroga aksion në Prishtinë, arrestohen disa persona e konfiskohet një sasi e narkotikëve