Operacion i Policisë dhe Prokurorisë në Prishtinë e Mitrovicë, shpartallohet "fabrika" që prodhonte pasaporta të falsifikuara

Prokuroria e Prishtinës në koordinim me Policinë, më saktësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë kryer operacione policore në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës Jugore, me ç’rast kanë arrestuar pesë persona dhe kanë sekuestruar disa prova materiale.

Sipas njoftimit, më  10 tetor, është realizuar operacioni policor, gjatë të cilit janë arrestuar pesë persona, të cilët dyshohen se në mënyrë të organizuar si grup kriminal kanë kryer vepra penale si – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar,  – falsifikimi i dokumenteve, dhe – kontrabandimi me migrantë.

“Në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike dhe planeve operacionale, që kanë për qëllim luftimin e veprimtarive kriminale, që ndërlidhen me fushën e krimit të organizuar, operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës Jugore, i cili ka përfshirë pesë (5) lokacione të ndryshme”- bëhet e ditur në njoftimin e përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë.

Në komunikatë bëhet e ditur se të dyshuarit janë; K.K., viti i lindjes 1965, G.T., viti i lindjes 1969, shtetas i Shqipërisë, E.A., viti i lindjes 1970, H.H., viti i lindjes 1978 dhe E. R., viti i lindjes 1992.

Gjatë kontrollit të kryer, Policia thotë se janë gjetur pajisje për prodhimin e dokumenteve të udhëtimit për në shtete të ndryshme të cilat janë sekuestruar në cilësi të provave materiale, që përfshijnë pasaporta, letërnjoftime, patentë shoferë, vetura, telefona e para.

“21 pasaporta të shteteve të ndryshme evropiane, pesë leje qëndrimi, letërnjoftime dhe patentë shoferë të shteteve të ndryshme, Pajisje dhe materiale te ndryshme elektronike që dyshohen për prodhimin e dokumenteve, katër telefona mobilë, 1,860 euro, 48,700 lekë, 10 funta, 395 lira turke, një veturë me targa të Kosovës dhe një veturë me targa të Shqipërisë”- theksohet në komunikatë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, pesë të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje, si dhe për të njëjtit është ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në drejtim të veprës penale – falsifikimi i dokumenteve.