Oficeri i FSK-së, nënkolonel Bexhet Shala që shpëtoi një nënë dhe vajzën e saj nga mbytja në det. FOTO: Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës/Facebook.

Oficeri i FSK-së shpëtoi nënën dhe vajzën e saj nga mbytja në det

Oficeri i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), nënkolonel Bexhet Shala ka shpëtuar nga mbytja në det një grua nga Kosova me inicialet F.B. dhe vajzën e saj R.B.

Sipas njoftimit të Ministrisë Mbrojtjes së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në një nga plazhet e qytetit të Shëngjinit në Shqipëri.

Nënkolonel Shala ishte për pushime me familjen tij.

Në momentin kritik, nënkolonel Shala ka vërejtur lëvizje jo normale të dy personave që ishin në ujë, me një distancë prej rreth 70 metrash dhe ka konstatuar se ato po luftonin me jetën.

“Intervenimin pa mëdyshje për shpëtimin e dy personave, nënkolonel Shala e ka bërë falë shkathtësive dhe aftësive të tija personale dhe profesionalë, përvojës së tij gjatë luftës në Kosovë si dhe leksioneve të shumta për vigjilencën në situata të ndryshme, si në luftë ashtu edhe në kohë paqe” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Gjithashtu është bërë e ditur se Shala ka marrë falënderime të shumta nga familja Berisha, për veprën e tij.

“Unë kam bërë vetëm detyrën. Ne si ushtarakë të FSK-së, e kemi mision që çdo herë të jemi në gatishmëri për tu përgjigjur situatave që kërkohen që të jemi të gatshëm të ndihmojmë këdo, pa dallim, deri në vetëmohim”, njoftohet të ketë thënë nënkolonel Shala.