NYT: Rreth 20% e armëve të Ukrainës kanë humbur në javët e para të kundërofensivës

Sipas një raporti të New York Times, Ukraina po e rimendon strategjinë e saj pasi ka humbur rreth 20% të armëve të saj në fillim të kundërofensivës.

New York Times raporton se rreth 20% e armatimit dhe automjeteve të Ukrainës të dërguara në vijën e frontit u dëmtuan ose u shkatërruan në javët e para të kundërofensivës.

Ajo thotë se kjo humbje e ka detyruar Ukrainën ta rimendojë strategjinë e saj dhe të ngadalësojë pak, duke rezultuar në më pak humbje në javët në vijim.

Ndërkohë që Presidenti Volodymyr Zelenskyy mirëpriti presidentin e Koresë së Jugut në Kiev të shtunën, ai e vuri theksin tek rëndësia e ndihmës së huaj, duke thënë se zyrtarët ukrainas kishin zhvilluar bisedime me rreth 20 vende në dy javët e para të korrikut.

“Tani, kur shpejtësia e përfundimit të luftës varet drejtpërdrejt nga mbështetja globale për Ukrainën, ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për ta siguruar që një mbështetje e tillë të jetë sa më intensive dhe kuptimplotë që të jetë e mundur”, tha ai.

Seuli, i cili është eksportuesi i nëntë më i madh i armëve në botë, ka një politikë të gjatë për të mos furnizuar me armë vdekjeprurëse zonat aktive të konfliktit. Mirëpo, presidenti i saj, Yoon Suk-Yeol, gjatë takimit u zotua ta rrisë ndihmën ushtarake humanitare dhe jovdekjeprurëse të vendit të tij për Ukrainën, duke përfshirë materiale të tilla si helmeta dhe jelek antiplumb.

Besohet se ndihma për Ukrainën do të diskutohet në samitin e G20 në Indi në muajin shtator.

Nju Delhi, i cili ka mbetur neutral në konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë, thotë se forumi është një platformë për diskutime financiare, jo për ato të lidhura me sigurinë, duke shtuar se ai “nuk ishte projektuar” për të ndihmuar në arritjen e paqes midis palëve ndërluftuese./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala