Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut - Foto: Zerijeta Hajro Jajaga / REL

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, këto janë rezultatet

Rezultatet e votave mund t’i ndiqni në kohë reale në këtë vegëz.

————————————————————-

23:32

Numërohen mbi 87 për qind e votave, prijnë kandidatët maqedonas, as Osmani, as Taravari nuk shkojnë në balotazh

Janë numëruar mbi 87 për qind e votave të zgjedhjeve presidenciale që janë mbajtur sot, më 24.04.2024, në Maqedoni të Veriut.

Kandidatja e partisë opozitare VMRO DPMNE, Gordana Silanovska Davkova, është duke prirë me 40.14 për qind të votave apo mbi 317 mijë vota, ndërkaq në vendin e dytë është presidenti aktual, Stevo Pendarovski, me 19.92 për qind.

I treti renditet kandidati shqiptar, Bujar Osmani, nga koalicioni “Fronti Europian” me 13.59 për qind, e i katërti është kandidati tjetër shqiptar nga opozita, Arben Taravari, i koalicionit VLEN me 9.57 për qind.

Maksim Dimitrievski ka 8.69 për qind të votave, i cili pasohet nga Bilana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”, e cila ka 4.46 për qind.

I fundit është renditur kryetari i Komunës së Kumanovës, Stevco Jakimovski me 0.93 për qind.

Rezultatet e votave mund t’i ndiqni në kohë reale në këtë vegëz.

22:59

VLEN “i kënaqur” me rezultatet e zgjedhjeve, ankohet se komunitetet e tjera joshumicë votuan Bujar Osmanin

Koalicioni shqiptar VLEN në Maqedoni të Veriut është shprehur i kënaqur me rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve presidenciale atje.

Këtë ka deklaruar në “Debat Plus”, Arianit Reka, zëdhënësi i kandidatit të VLEN, Arben Taravari.

Reka ka kritikuar “Frontin Europian” në krye me Bujar Osmani, duke thënë se kanë bërë koalicion me komunitetet e tjera pakicë.

“Rezultati është i jashtëzakonshme për ne… dhe ka një atmosferë mjaft pozitive. Rezultati është i mirë, siç e dini në këto zgjedhje kishim dy blloqe, ishte blloku VLEN dhe blloku tjetër që ishte bllok multietnik”.

“Votat që janë marrë nëpër komunitete që janë nëpër vendbanimet multietnike nuk janë marrë më vendbanimet shumicë ku janë shqiptarët”, ka thënë Reka.

Në një konferencë për media edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka thënë se koalicioni VLEN është fitues i votave shqiptare, ndërsa sipas tij, BDI-ja ka edhe votat e komuniteteve tjera.

“VLEN është përfaqësuesi i vetëm legjitim i shqiptarëve në këto zgjedhje dhe në qeverinë e ardhshme. BDI edhe me këto rezultate nuk nxjer deputet shqiptar. BDI me këto zgjedhje humbi legjitimitetin politik të flasë në emër të shqiptarëve”, ka thënë Kasami./Dukagjini

22:50

Osmani shpall fitoren kundër Taravarit

Ende pa u numëruar të gjitha votat, kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nga koalicioni “Fronti Europian” ka shpallur “fitore të thellë” përballë kandidatit tjetër shqiptar, Arben Taravarit, nga koalicioni VLEN.

Deri më tani janë numëruar mbi 80 për qind e votave, ku me 39.93 për qind kryeson Gordana Silanovska Davkova nga partia opozitare VMRO DPMNE, e në vend të dytë presidenti aktual, Stevo Pendarovski, me 19.5 për qind.

Osmani renditet i treti me 14.23 për qind apo mbi 102 mijë vota. Taravari është i katërti me 10.06 për qind apo mbi 72 mijë vota të grumbulluara, rreth 30 mijë më pak se Osmani.

“Shpall fitoren e thellë me mbi 40 mijë vota. Kemi shënuar fitore pothuajse në çdo komunë shqiptare. Gjithandej në republikë, fitore e thellë e Frontit Europian. Urime të gjithëve!” – ka thënë Osmani në një konferencë për media.

Osmani pati edhe një mesazh direkt për kundërkandidatin, i cili ishte përkrahur edhe nga partia që ka pushtetin në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje.

“Arben, pavarësisht goditjeve të ulëta, patëm një fushatë të ndershme dhe fer, që sot me dinjitet të pranohet humbja dhe po ashtu edhe fitorja. Vullneti i popullit është ai që përcakton karrierat tona. Duhet të pranojmë këtë vullnet por edhe mesazhin që e dërguan shqiptarët dhe të gjitha komunitetet e tjera” – tha ai.

Ai shtoi se kanë shënuar fitore në Jegunovcë, Haraçinë, Vrapçishtë, Studeniçan, Likovë, Bogovinjë, Zhelinë, Gazi Babë, Bërvenicë, Dollnen, Resnjë, Strugë, Çashkë, Zelenikovë, Ohër, Tetovë, Saraj, Manastir, Çuçer Sandevë, Veles, Kërçovë, Karposh, Gostivar, Krushëvë, Kumanovë, Çair, Qendër e Dibër.

Osmani më tej tha se duket se votuesit maqedonas nuk kanë tejkaluar barrierat etnike sa i takon dhe se shoqëria ende është e ndarë.

“Pikërisht për këtë arsye, angazhimi im programor është zgjedhja e presidentit në kuvend, me shumicë të dyfishtë. Do vazhdojmë të presim rezultatet për raundin e dytë, por sidoqoftë zotimi im programor është që këto zgjedhje të jenë të fundit që mbahen në këtë mënyrë dhe presidentin e ardhshëm ta zgjedhim në kuvend me 2/3 dhe shumicë të dyfishtë” – tha ai.

Pak orë më parë, Arben Taravari ka thënë se janë të lumtur sepse “kanë fituar votën e shqiptarëve.

Rezultatet e votave mund t’i ndiqni në kohë reale në këtë vegëz.

21:37

Numërohen 60 për qind e votave në Maqedoninë e Veriut, këto janë rezultatet

Gordana Silanovska Davkova nga partia opozitare VMRO DPMNE-ja po prin me 37.8 për qind të votave nga gati 60 për qind të votave të numëruara të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni të Veriut, të mbajtura sot më 24.04.2024.

Ajo pasohet nga presidenti aktual Stevo Panderovski me 18.66 për qind nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM).

Bujar Osmani nga koalicioni “Fronti Evropian”, i kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), deri më tani ka mbledhur 15.63 për qind të votave.

Ndërsa, Arben Taravari i opozitës shqiptare, nga koalicioni VLEN, është i katërti me 11.39 për qind.

Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ka mbledhur 8.09 për qind të votave,

Bilana Vankovska Cvetkovska nga partia “E Majta”, 4.49 për qind dhe kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, Stevco Jakimovski 0.96 për qind.

Rezultatet e votave mund t’i ndiqni në kohë reale në këtë vegëz.

Arben Taravari ka thënë janë të lumtur sepse “kanë fituar votën e shqiptarëve”. E nga koalicioni tjetër shqiptar, i kryesuar nga BDI, janë shprehur të bindur për fitore.