Resmen Smaili

Nuk mori grantin e përfituar nga Ministria e Bujqësisë, qytetari futet në borxhe (VIDEO)

Resmen Smaili është një qytetar nga fshati Mushnikovë i komunës së Prizrenit.

Ai në vitin 2019 ishte përfitues i një granti nga Ministria e Bujqësisë për kultivim të peshkut. Vlera e grantit ishte 50 mijë euro.

Por Smaili deri më tash nuk ka arritur t’i marr paratë e premtuara, për shkak të një licence. Ai në ndërkohë për të përfunduar projektin me të cilin ishte përzgjedhur përfitues i grantit, kishte marrë kredi në banka.

Licenca për ‘Zhvillimin e Aktivitetit të Akuakulturës’ jepet nga Ministria e Bujqësisë, ndërsa Smaili ankohet për vonesa në procedurat për pajisjen me këtë licencë.

Smaili thotë se pasi që ka aplikuar për licencë, i është kërkuar edhe një dokument shtesë, leja për ngarkim dhe shkarkim të ujërave. Ai pretendon se ka aplikuar edhe për këtë leje, por që prapë ia kanë vonuar përgjigjen.

Kur e kam nisur prej 2019-ës në fund, gjithmonë ka pasur probleme me letër domethënë, për çdo letër kam pritur ka 4-5 muaj, edhe afatin e kam arritur deri në fund, për pagesë letrat krejt i kam paraqitur, po për shkak të licencës ma kanë anuluar grantin. Licenca e peshkut domethënë, licenca për punë.  Krejt kriteret i kam të plotësuara, me leje, me pëlqim mjedisor, me leje të ndërtimit, me kushte ujore. Edhe për licencë në afat i kam dorëzuar ofertën atje”, thotë ai.

Ministria e Bujqësisë në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se Smaili ka qenë përfitues i projektit për “Akuakulturë – Kultivimi i Peshkut” dhe për këtë projekt e ka nënshkruar kontratën me 8 nëntor të vitit 2019.

Sipas Ministrisë, afati për implementimin e projektit ka qenë 300 ditë që nga data e nënshkrimit të kontratës, me mundësi të shtyrjes së afatit edhe për 45 ditë të tjera, që në total bëjnë 345 ditë.

Me këtë rast Resmen Smaili nuk e ka siguruar licencën dhe ka parashtruar kërkesë për rivendosje të afatit, e cila kërkesë aprovohet nga Komisioni përkatës dhe rivendoset afati sipas kërkesës së përfituesit, deri më 20.04.2021”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.

Por, Smaili thotë se nuk e di arsyen pse ka vështirësi për të marrë licencën, pasi sipas tij, me kohë i ka dorëzuar të gjitha dokumentet.

“Licenca ka qenë edhe përpara, në kontratë ka shkru, por nuk e di cila ka qenë vështirësia për me marrë atë licencë sepse unë në kohë kam dorëzuar letrat atje, i kam dorëzuar domethënë në Ministri, ma kanë shty deri në ditën e fundit, bëhet-bëhet dhe ditën e fundit më kanë kërku shtesë letra” , thotë ai. 

“Unë i kam plotësu për shkak të ujërave, domethënë për shfrytëzim dhe shkarkim të ujit. Mua më ka taku, sipas zyrtarit të ambientit mua më ka takuar licenca me pëlqimin mjedisor. Unë pëlqimin mjedisor e kam pasë dhe e kam dorëzu edhe ata deri në fund ma kanë shty, bëhet-bëhet edhe ditën e fundit ma kanë refuzuar, edhe kanë kërku letra shtesë”, tha ai.

Tutje, në përgjigjet e Ministrisë thuhet se më datë 20 prill 2021, Smaili ka paraqitur edhe një kërkesë për pagesën e grantit, por që prapë i ka munguar licenca.

Pas kalimit të të gjitha afateve ligjore për ofrimin e licencave, Drejtoria e Autorizimit propozon Vendim për Refuzim të projektit për arsye të mungesës së Licencës për Zhvillimin e Aktivitetit të Akuakulturës. Pas kësaj, përfituesi parashtron ankesë në Vendimin e Autorizimit në Komisionin e Ankesave, i cili merr vendim për miratim të ankesës në piken 2 të vendimit, por nuk aprovon ankesën në piken 1 për mungesën e Licencës. Pra, bazuar në gjitha këto, Vendimi për refuzim mbetet në fuqi për arsye të mungesës së Licencës për Zhvillimin e Aktivitetit të Akuakulturës”.

Resmen Smaili tregon se për çështjen tashmë i është drejtuar Gjykatës. Ai shpreson se Gjykata do të vendosë drejtësinë në lidhje me grantin, ndërsa i dëshpëruar thotë se nëse as përmes Gjykatës nuk e merr grantin për të cilin thotë se ka të drejtë, atëherë do të largohet nga Kosova, si e vetmja zgjidhje për të.

Unë foli personalisht për vete që e kemi dërgu edhe në gjykatë, sepse jemi me borxhe të mëdha, unë kam argumente këtu, që edhe me banka jam në gjyq. Sepse unë për investime kam marrë kredi edhe i kam tre kredi. Mbi 30 mijë veç e kam kredinë, plus borxhe kushërinjve, shokëve, miqve.  Nëse nuk pranojnë këtë grantin, unë jam i detyruar që ta lëshojë Kosovën, nuk kam çka me bo tjetër. Sepse këtu investimi është mbi 100 mijë euro. 20 mijë euro i kam kalu investimet vetëm për letra”, thotë ai.

Për këtë grant të Ministrisë, buxheti i planifikuar ka qenë 300 mijë euro. Në kuadër të kësaj mase mbështetëse janë shpallur 10 përfitues, ndërsa vetëm 4 prej tyre janë autorizuar për pagesë, kurse 6 të tjerë janë refuzuar, sipas Ministrisë, për mos plotësim të kritereve.