Arrihet marrëveshja me kompaninë 'Pastrimi', vijon grumbullimi i mbeturinave

Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK SH.A.), Abdullah Haxhiu, pas mbledhjes së mbajtur me bordin e drejtorëve te kompanisë “Pastrimi”  lidhur me bllokimin e xhirollogarive të këtyre të fundit, në një konferencë për media deklaroi se kanë arritur marrëveshje që të paguhet një pjesë e borxhit nga kompania “Pastrimi” dhe të rifillojnë me grumbullim të mbeturinave.

“Sot me vetiniciativën tonë i kemi ftuar që të vijnë në takim kompaninë ‘Pastrimi’ për zhbllokim të xhirollogarive dhe pas shumë diskutimeve, nga ajo që kanë propozuar ata, të jetë një pagesë prej 50 mijë euro, pjesa tjetër e borxhit të paguhet deri në prill. Nesër kjo pagesë do nënshkruhet, kurse sot besoj ka filluar prapë me grumbullim të mbeturinave”, ka thënë Haxhiu

Haxhiu shtoi se kompania i ka lënë fajtor për borxhet e tyre.

“Ata janë deklaruar që i ndërpresin shërbimet për shkak se i kemi bllokuar xhirollogaritë. Ne nuk kemi dashur të vijmë në këtë rrethanë. Shkresat tona kanë qenë të vazhdueshme për mospërputhje të obligimeve pasi edhe na paraqesin pengesë me menaxhim të mbeturinave”, shtoi tutje Haxhiu.

Haxhiu po ashtu potencoi se i kanë shkruar edhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për bisedime, por deri tani nuk kanë pasur takim.

“I kemi shkruar edhe Përparim Ramës për bisedime se çka mundem me ofru. Deri tani nuk kemi pasur takim”, shtoi ai.

Haxhiu para mediave theksoi se edhe auditori ka rekomanduar që çdo kompani që nuk paguan fatura të  angazhohen përmbaruesit.

Sipas tij, KMDK ka pasur dy marrëveshje të riprogramimit të borxheve me ‘Pastrimin’ dhe nuk janë respektuar, tani për herë të tretë kërkojnë t’i përmbahen zotimit.

Borxhi i kompanisë ‘Pastrimi’ është 237 mijë euro.

I bllokohen xhirollogaritë, “Pastrimi” nga nesër nuk do të grumbullojë mbeturinat

www.kallxo.com