Mbeturinat në rrugën ‘Fazli Grajçevci’ në Prishtinë. Foto: KALLXO.com.

‘Pastrimi’: Nga 15 gushti konsumatorët me borxh të akumuluar ndër vite dërgohen te përmbaruesi privat

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” u ka bërë thirrje qytetarëve që të përmbushin obligimet për pagesën e faturave në mënyrë që të ofrohet shërbim cilësor. Ata kanë njoftuar se nga 15 gushti, konsumatorët me borxhe të akumuluara ndër vite do dërgohen në procedurë përmbarimore tek përmbaruesi privat.

“KRM “Pastrimi” Sh. A duke filluar nga data 15 gusht 2022, do të fillojë me procedimin e konsumatorëve borxhlinj (për konsumatorët me borxhe të akumuluara ndër vite), në procedurë përmbarimore tek Përmbaruesi Privat. Inicimi i kësaj procedure përmes Përmbaruesit Privat krijon taksën shtesë”, thuhet në njoftim.

KRM “Pastrimi” ka potencuar se për të shmangur dërgimin e borxhlinjve te përmbaruesi privat, ata duhet t’i përmbushin obligimet ndaj kompanisë.

“Për t’iu shmangur kësaj procedure, kërkohet nga ju që sa më parë të përmbushni obligimet tuaja ndaj KRM “Pastrimi” Sh.A, sepse përndryshe jemi të detyruar të dërgojmë lëndët në Procedura Përmbarimore”, thuhet më tej në njoftim.

Kompania Regjionale e Mbeturinave ”Pastrimi” ka për obligim shërbimin – largimin e mbeturinave për të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit në Prishtinë si dhe në njësitë tjera rajonale, Podujevë, Fushë Kosovë, Lipjan, Drenas dhe Obiliq.

Sipas kompanisë, për të përmbushur këtë obligim me sukses dhe cilësi, kërkohet angazhim maksimal dhe bashkëpunim.

Kompania “Pastrimi” gjatë këtij viti është përballur disa herë më probleme në zbrazjen e kamionëve me mbeturina.

Kjo pasi Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës ia kufizoi qasjen në deponinë e Mirashit (Obiliq) për shkak të borxhit të madh që ia kishte atyre kompania “Pastrimi”.

Si shkak i menaxhimit jo të mirë të ndërmarrjes “Pastrimi” në korrik të këtij viti, bordi ka shkarkuar edhe kryeshefin ekzekutiv.