Kompania për Menaxhimin e Deponive: 'Pastrimi' na ka borxh, deponia për hedhje të mbeturinave nuk është mbyllur

Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK) ka reaguar ndaj deklarimeve të Kompanisë Rajonale “Pastrimi”, se nuk do grumbullojë mbeturinat pasi nuk ka ku t’i  hedhin.

Sipas tyre, deponia nuk është mbyllur por është masë paralajmëruese e kufizimit për dy-tre ditë pasi nuk është duke i paguar faturat ndaj tyre.

“Së pari, KRM Pastrimit nuk i është mbyll deponia por është masë paralajmëruese e shkarkimit (hedhjes) – kufizimit për dy tre ditë të mbeturinave në deponi, për arsye se KRM Pastrimi nuk është duke i paguar faturat  ndaj KMDK-së dhe nuk është duke iu përmbajtur asnjë Marrëveshjeje të Riprogramimit të Borxhit, e as marrëveshjes së fundit të datës 10.02.2022, ku nga pjesa e marrëveshjes ka krijuar një borxh në vlerë 388.933, euro, ndërsa borxhi total është 658.789,52 euro”, thuhet në komunikatë.

Tutje, nga Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, thuhet se borxhi i ndërmarrjes “Pastrimi” rrezikon tërë funksionimin e tyre.

“Borxhi i KRM Pastrimit e rrezikon në tërësi funksionimin e KMDK-së, ku do të mund të vijë deri të mos mundësia e pranimit dhe administrimit të mbeturinave në të gjitha deponitë që ne i menaxhojmë, në këtë rast do të bëhej një kaos jo vetëm në Regjionin e Prishtinës por do të kemi probleme në kryerjen e shërbimeve tona ligjore edhe në Regjionet tjera në Kosovë”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas tyre, video që ka postuar “Pastrimi” nuk është aktuale,  pasi gjendja në deponi nuk ka qenë kurrë më e mirë se tani.

“Së dyti, KRM Pastrimi kishte postuar një video të një rasti të viteve më parë në sezone dimri, por edhe gjoja të dëmtimeve që po ju bëhen në deponi, përndryshe gjendja ne deponi asnjëherë nuk ka qenë më e mirë siç është tani”.

Kompnia për Menaxhimin e Deponive në komunikatë thotë se në videon ku shihet kamioni që ka ngecur në mbeturina është se ngasësit e kamionëve nuk i respektojnë udhëzimet e punëtoreve të Kompanisë.

“Arsyeje e rastit të videos ku një kamion ka ngecë në mbeturina është se, punonjësit-ngasësit e kamionëve nuk i respektojnë udhëzimet e punëtorëve tonë, të cilët i orientojnë se ku duhet të bëhet zbrazja e mbeturinave apo në cilin sektor, vend i përgatitur nga kompania e jonë për zbrazje –shkarkim të mbeturinave, por ata kanë vepruar kokë në vete, ku të donë ata , e herë herë e kërcënojnë edhe stafin tonë orientues për shkarkim të mbeturinave”,  thuhet në komunikatë.

“Jo rrallë herë ne si kompani, Bordi si përfaqësues i aksionarit është atakuar rreth gjendjes së deponive, pa fajin tonë, e që pengesë pse nuk ka një menaxhim edhe më të mirë të deponive dhe Stacionit të transferit , janë pikërisht këto kompani që nuk i kryejnë obligimet me kohë ndaj KMDK-së”, thuhet tutje në komunikatë.

Kompania për Menaxhimin e Deponive i ka bërë thirrje kompanisë “Pastrimi” dhe aksionarëve që urgjentisht të kryejnë obligimet, përndryshe do merren hapa tjerë deri në ndalim total të sjelljes së mbeturinave në deponi.

Sipas tyre, “Pastrimi” po i shantazhon përmes deklarimeve në media.

“Mos pagesat me kohë, e që zgjatin me vite të tëra, bëhet më e theksuar  në këtë kohë të rritjes së të gjitha çmimeve, ku është rrit kostoja e trajtimit të mbeturinave , shto kësaj edhe tarifën tejet të ultë ( 5,31/Ton pa TVSH ), kjo tarifë e pranimit të mbeturinave është pothuajse e njëjtë që aplikon KRM Pastrimi me tarifën e grumbullimit për familje (4,70 Euro , ndërsa për biznese është mbi 20 Euro ). Të paktën ne nuk kemi njohuri që ka në ndonjë vend tjetër që operojnë me tarifa pothuajse të njëjta të operimit dhe grumbullimit të mbeturinave komunale”, thuhet më tej në komunikatë.

“Për  në fund, i bëjmë thirrje KRM Pastrimi, Aksionarëve të kësaj kompanie që urgjentisht ti kryejnë obligimet që i kanë ndaj KMDK-së, para se të ndërmarrim  hapin tjetër, aspak të dëshiruar nga ana e jonë, por të detyruar në ndalimin total të sjelljes së mbeturinave në deponi, për arsye se nuk do të mundemi me funksionuar si Kompani”.

“KRM Pastrimi përmes mospagesave po na saboton , ndërsa përmes deklarimeve në media dhe adresimit të opinionit publik po na shantazhon”, kanë potencuar nga KMDK

Kompania ‘Pastrimi’ nuk do grumbullojë mbeturinat, thotë se nuk ka ku të zbrazë kamionët