Drama mes kompanive për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave që la kryeqytetin të ndotur

Mëngjesi i së martës e gjeti Prishtinën të mbushur me bërllok.

Kontejnerët u panë të stërmbushur nga mbeturinat, ashtu si edhe hapësira në afërsi të tyre. Lagjet e kryeqytetit u panë me mbeturina afër trotureve, banesave dhe rrugëve.

Krejt kjo pasi Kompania regjionale “Pastrimi” nuk grumbulloi mbeturinat në Prishtinë dhe as në qytetet tjera ku operon, për t’i dërguar në deponi për shkak të borxhit që ka ndaj Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK).

Gjendja nisi të përmirësohej më vonë gjatë ditës, ndonëse u paralajmërua se nuk do mund të përfundohej terreni sipas orarit të zakonshëm.

Qytetarët e shtatë komunave, përfshirë Prishtinën, në të cilat operon kompania “Pastrimi” nuk po marrin shërbimet e duhura si shkak i mosmarrëveshjeve që kanë tash e një kohë dy kompanitë në fjalë.

Veprimtaria e “Pastrimit” përfshinë  komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë.

Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës ka thënë se “Pastrimi” i ka borxh në vlerë mbi 600 mijë euro. Madje në muajin shkurt i kishte bllokuar xhirollogaritë e ndërmarrjes si masë shtytëse për pagesë të borxhit.

Kryeshefi i KMDK-së, Avdullah Haxhiu më 9 shkurt të këtij viti në një konferencë për media pasi kishin mbyllur xhirollogaritë e “Pastrimit” pati deklaruar se kanë arritur një marrëveshje që të paguhej një pjesë e borxhit nga ana e “Pastrimit”.

“Sot me vetiniciativën tonë i kemi ftuar që të vijnë në takim kompaninë ‘Pastrimi’ për zhbllokim të xhirollogarive dhe pas shumë diskutimeve, nga ajo që kanë propozuar ata, të jetë një pagesë prej 50 mijë euro, pjesa tjetër e borxhit të paguhet deri në prill”, kishte deklaruar Haxhiu.

Në anën tjetër, “Pastrimi” disa herë kishte alarmuar se qytetarët nuk po paguajnë faturat e mbeturinave dhe rrjedhimisht janë grumbulluar borxhet.

Në pasqyrën financiare vjetore për vitin 2020 të kryer nga Zyra Kombëtare e Auditimit, (ZKA) thuhet se kompania “Pastrimi” nuk zbriti borxhin e mbledhur nga klientët.

“Arkëtimet në shumë 414,886 euro të regjistruara me emërtimin “Klient i panjohur institucione, kontrata, lokale dhe amvisëri”, nuk u janë zbritur konsumatorëve të cilët kanë kryer obligimet ndaj Kompanisë”, është thënë në raport.

Përpos kësaj, kompania “Pastrimi” nuk kishte bërë prezantim të saktë të vlerës Neto të aseteve dhe shpenzimeve e prezantim jo të saktë të obligimeve në pasqyrat financiare vjetore. Madje, sipas ZKA-së, kompania kishte faturuar klientët me emërtim të pasaktë.

Marrëveshja e arritur në shkurt mes “Pastrimit” dhe KMDK-së që në prill të paguhej pjesa tjetër e borxhit, si duket nuk është respektuar pasi më datë 23 maj, kompania “Pastrimi” doli me një njoftim se nuk do grumbullonte mbeturinat pasi nuk kanë ku t’i zbrazin.

Sipas tyre, Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës u kishte ndaluar qasjen në deponinë e Mirashit në Obiliq.

Pas këtij deklarimi mediatik të kompanisë “Pastrimi” i menjëhershëm ishte reagimi nga ana e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, të cilët potencuan se deponia nuk ishte mbyllur por kjo ishte një masë paralajmëruese e kufizimit për dy-tre ditë si shkak i borxhit të pa paguar.

“Së pari, KRM Pastrimit nuk i është mbyll deponia por është masë paralajmëruese e shkarkimit (hedhjes) – kufizimit për dy tre ditë të mbeturinave në deponi, për arsye se KRM Pastrimi nuk është duke i paguar faturat  ndaj KMDK-së dhe nuk është duke iu përmbajtur asnjë Marrëveshjeje të Riprogramimit të Borxhit, e as marrëveshjes së fundit të datës 10.02.2022, ku nga pjesa e marrëveshjes ka krijuar një borxh në vlerë 388.933, euro, ndërsa borxhi total është 658.789,52 euro”, thuhet në komunikatë”, u tha në komunikatën e KMDK-së.

Tutje, nga Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, u tha se borxhi i ndërmarrjes “Pastrimi” rrezikon tërë funksionimin e tyre.

“Borxhi i KRM Pastrimit e rrezikon në tërësi funksionimin e KMDK-së, ku do të mund të vijë deri të mos mundësia e pranimit dhe administrimit të mbeturinave në të gjitha deponitë që ne i menaxhojmë, në këtë rast do të bëhej një kaos jo vetëm në Regjionin e Prishtinës por do të kemi probleme në kryerjen e shërbimeve tona ligjore edhe në Regjionet tjera në Kosovë”

Kompania për Menaxhimin e Deponive i ka bërë thirrje kompanisë “Pastrimi” dhe aksionarëve që urgjentisht të kryejnë obligimet, përndryshe do merren hapa tjerë deri në ndalim total të sjelljes së mbeturinave në deponi.

Sipas tyre, “Pastrimi” po i shantazhon përmes deklarimeve në media.

Kurse, gjatë ditës së sotme KDMK kishte vënë masë kufizuese për qasje në deponi nga ora 08:00-10:00, më pas “Pastrimi” do mund të zbrazte kamionët.

Kryeshefi i kësaj kompanie Burim Kelmendi paralajmëroi edhe shtrenjtimin e faturës mujore për grumbullim të mbeturinave.

“Sot prej orës 10:00 do na lejojnë t’i zbrazim kamionët, kështu na është thënë se është masa kufizuese nga Kompania për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave. Jemi kontaktuar nga të gjitha komunat në të cilat operojmë lidhur me këtë problem. Ne e kemi me patjetër që si shkak i rritjes së çmimeve të rrisim edhe faturën mujore për mbledhje të mbeturinave, pra nga 3.80 euro në 6 euro në muaj”, ka thënë Kelmendi.

Komuna e Prishtinës në seancën e fundit të Kuvendit Komunal mori vendim që t’i ndajë 100 mijë euro për kompaninë “Pastrimi”, por që pritet edhe shqyrtimi nga ana e Ministrisë së Pushtetit Lokal e më pas alokimi i tyre në llogari të ndërmarrjes.

Lidhur me gjithë situatën e krijuar nëpër media si shkak i mos grumbullimit të mbeturinave, Avdullah Haxhiu kryeshef i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës për KALLXO.com, deklaroi se ndalimi për qasje në deponi të Mirashit ka qenë për dy-tre orë në ditë, nuk ka qenë bllokim total.

Ai tha se nuk e kuptoi pse “Pastrimi” nuk i ka zbrazur kamionët gjatë pjesës tjetër të ditës kur nuk ka pasur masë kufizuese.

Haxhiu tutje shtoi se deri tani kanë bërë tri marrëveshje me kompaninë “Pastrimi” për ri-programim të borxhit por kjo e fundit nuk po e respektonte atë.

Pas reagimeve të shumta nga ana e qytetarëve reagoi edhe nënkryetari i Prishtinës Alban Zogaj.

Ai u kërkoi falje qytetarëve për gjendjen e krijuar dhe tha se do krijonin një zgjidhje afatgjatë për këtë problem.

“Kërkojmë falje për këtë gjendje! Kompania për menaxhimin e deponive nuk po e lejon Kompaninë ‘Pastrimi’ të bëj zbrazjen e mbeturinave, për shkak të borxhit që kjo e fundit i ka të parës! Kjo gjendje është e papranueshme, dhe shumë shpejtë do të vijmë me zgjidhje afat-gjate për këtë problem!”, është shprehur Zogaj.

Kurse, sot nga ora 11:00 ka nisur zbrazja e mbeturinave në deponinë e Mirashit, nga kompania “Pastrimi” kanë bërë të ditur se grumbullimi mund të mos përfundojnë sipas orarit të zakonshëm.

Përpos Deponisë së Mirashit në Obiliq, Kompania për Menaxhimin e Deponive, KMDK ofron shërbime edhe në Deponinë e Dumnicës-Podujevë, deponinë e Landovicës në Prizren, deponinë e Velekincës në Gjilan dhe Stacionin e Transferit në Ferizaj.