Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Hoti: Qeveria ua paguan rrymën atyre që vendosën barikadat
Ish kryeministri i Kosovës, aktualisht deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se paratë që ndau sot qeveria për borxhin e KOSTT-it ndaj rrjetit Evropian janë të projekteve kapitale që nuk janë realizuar.
Sipas tij, qeveria ua pagoi rrymën atyre që vendosen barikadat.
Hoti theksoi edhe faktin që zgjedhjet në veri e afati për tabela janë shtyrë si dhe lirimin e të arrestuarit për terrorizëm, Dejan Pantiq.
“Qeveria sot ka ndarë 17.5 mil euro për borxhin e KOSTT-it ndaj Rrjetit Evropian për furnizimin e komunave në veri. Vite me radhë shanin për të njëjtën gjë. Për dijeni, këto mjete janë të projekteve kapitale që nuk janë realizuar. Zgjedhjet në veri i shtynë për prill, vendimin për tabela e shtynë pa afat, të arrestuarin për terrorizëm e liruan. Tani, para se të nisin festën e vitit të ri, ua paguajnë edhe rrymën atyre që vendosën barrikadat. Kjo është qeverisje se jo mahi!”- është shprehur Hoti.
Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën për ndarjen e 35.5 milionë euro për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik. Prej tyre, 20 milionë euro janë ndarë për KEK-un dhe 17.5 milionë euro për KOSTT-in.
Mjetet për KOSTT-in ajnë ndarë për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike. Mjetet sipas këtij vendimi merren nga kursimet buxhetore.
Më 16 dhjetor, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte bërë të ditur se KOSTT-i ka kërkuar buxhet për mbulimin e energjisë së shpenzuar dhe jo të paguar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Sipas saj, në mungesë të buxhetit, për mbulimin e humbjeve nga energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale.
Rryma në veri, Qeveria ndan mbi 17 milionë euro për KOSTT-in