Nuk miratohet rezoluta e PDK-së për pandeminë, LVV votoi kundër

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar rezolutën e propozuar nga PDK-ja nga debati parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Kjo pasi që nga 74 deputetë të pranishëm në sallë, 20 deputetë votuan për, kurse kundër kanë votuar 54 deputetë.

Votat kundër ishin të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Paraprakisht, deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka prezantuar projekt-rezolutën në lidhje me debatin parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19 në Kosovë.

Kjo rezolutë kishte këto pika:

1. Obligon Qeverinë e Kosovës për marrjen e masave, veprimeve e vendimeve për sigurimin e vaksinës anti-COVID-19, të nevojshme si dhe mjeteve dhe medikamenteve mjekësore dhe shëndetësore për menaxhimin e situatës pandemike në afat më së largu një muaj nga miratimi i kësaj rezolute

2. Bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, obligon Qeverinë që të bashkëpunojë me IKShPK-në për të miratuar planin për vaksinim të qytetarëve me vaksinën anti-COVID-19 dhe i njëjti të jetë publik dhe transparent me qëllim që qytetarët të kenë sa më shumë informata për procesin e imunizimit

3. Obligon Qeverinë për zgjerimin e kapaciteteve logjistike për sigurimin e regjistrave demografik dhe krijimin e data bazave dhe aplikacioneve në nivel komunal dhe qendror për qëllim të vaksinimit efektiv të qytetarëve.

4. Obligohet Qeveria që të zbatojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me qëllim të stimulimit të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës.

5. Konfirmon zotimin që Republika e Kosovës përmes legjislacionit të miratuar do të angazhohet për ti dalë në ndihmë përmes mbështetjes financiare gupeve të caktuara shoqërore, shëndeti i të cilëve rrezikohet si rezultati i tyre në shërbim të shtetit dhe shoqërisë e që lidhet me menaxhimin e pandemisë.

6. Përfituesve të mbështetjes financiare nga pika 5 e kësaj rezolute do të ofrohet mbështetje si në vijim: të punësuarit në sektorin publik stimulohen dhe mbështeten financiarisht, profesionistët shëndetësor mbështeten me pagë shtesë prej 300 euro ndërsa punëtorët jo shëndetësor me pagë shtesë 200 euro për muaj, mbi pagën bazë për muaj prill, maj, qershor të viti 2021. Burimi i financimit sigurohet nga buxheti i Kosovës. Kërkohet nga qeveria që në afat sa më shkurtër kohor të ndërmerrë veprimet e nevojshme ligjore për zbatimin e mbështetjes financiare të përcaktuar në pikën 5 të kësaj rezolute.