Nuk kaluan kërkesat për ndryshim të rendit të ditës, opozita lëshon sallën e Kuvendit

Pasi nuk kaluan dy propozimet, që si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e sotme të hyjë shqyrtimi i rezolutës për minatorët e Trepçës dhe për protestat e Policisë, opozita ka lëshuar sallën.

Ndërsa, Kuvendi është duke vazhduar punimet me deputetët nga pozita për shqyrtimin e pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara.

Kërkesa për ndryshim të rendit të ditës nga Partia Demokratike e Kosovës për një rezolutë për çështjen e grevës së minatorëve të Trepçës, nuk mori votat e mjaftueshme për miratim.

Kundër këtij propozimi kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje duke pamundësuar ndryshimin e rendit të ditës.

Në rend të ditës nuk hyri as debati parlamentar për çështjen e protestave të pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) të Policisë së Kosovës, të cilët dje kanë shprehur pakënaqësitë me shtesat për rrezikshmërinë, pagën, por edhe shtesat e tjera.

“50 abstenuan kështu që nuk kalon ky mocion”- tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Në kohën kur kryetari i Kuvendit filloj shqyrtimin e pikave tjera të rendit të ditës, tri partitë opozitare u panë duke u larguar nga salla e kuvendit.

Greva e minatorëve dhe protesta e policisë, nuk kalojnë kërkesat e partive opozitare për debat parlamentar

Që nga 24 tetori, qindra minatorë dhe punonjës të tjerë kanë hyrë në grevë.

Ata kanë premtuar se nuk do ta ndërpresin grevën pa u përmbushur tri kërkesat e tyre: Realizimi i pagës mujore me kohë (nga data 6 – 10 në fillim të çdo muaji), shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.

Ndërsa dje, përmes një proteste, Njësiti FIT i Policisë së Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës që propozimin për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikojnë edhe një herë.

Kërkesat e këtij Njësiti janë që të kategorizohen si njësi të veçanta dhe të përfshihen në listën e ekspertëve; rrezikshmëria të caktohet në 50% të pagës; si dhe shtesat për kushte specifike të punës.

Këto janë kërkesat e njësitit FIT të Policisë së Kosovës drejtuar kryeministrit Albin Kurti