Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Nuk iu vendos çmim vajit, inspektorët në Mitrovicë dënojnë me 500 euro shitësit

Inspektorët e tregut në Mitrovicë kanë dënuar me 500 euro gjobë një subjekt afarist pasi nuk i kishte vendosur çmim të shitjes, produktit ushqimor, vajit.

Të njëjtit kanë thënë se çdo produkt që plasohet në  treg duhet të ketë të vendosur çmimin e shitjes.

“Me këtë rast, nga ana e inspektorëve ky veprim është vlerësuar në kundërshtim me Ligjin Nr. 06/L-034 “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”, njëkohësisht inspektorati i tregut rikujton se të gjitha produktet që plasohen në treg, duhet të kenë të vendosur çmimin e shitjes, në të kundërtën do të obligohen që të ndërmarrin masa konform dispozitave ligjore”, thuhet në njoftim.

Në muajin mars, qytetarët e Kosovës janë përballur me rritje të lartë të çmimit të vajit.

Një litër vaj kushtonte deri në 3.49 euro.

Paralajmërimet e vazhdueshme për rritjen e çmimit të produkteve esenciale kanë përhapur panik në mesin e qytetarëve.