Foto: Facebook, Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil

Sindikata e punëtorëve të AAC-së: Drejtori i Përgjithshëm po rrezikon kapacitetet humane mbikëqyrëse

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil përmes një komunikate për media kanë thënë se drejtori i përgjithshëm Bujar Ejupi po rrezikon kapacitetet humane mbikëqyrëse të AAC-së.

Sipas tyre, Ejupi ka nisur një fushatë hakmarrëse ndaj stafit profesional të aviacionit duke ndërhyrë në procesin e dhënies së kredencialeve të inspektorëve mbikëqyrës të aviacionit.

Në komunikatë bëhet e ditur se nga 14 inspektorë të aviacionit të pajisur me kredenciale, tani janë reduktuar në 11, pasi tre inspektorëve u janë hequr ato.

Sindikata në këtë komunikatë potencon se rasti më eklatant është tërheqja e kredencialeve të Drejtoreshës për Siguri dhe Cilësi në AAC e cila më 2007 është bërë është inspektorja e parë femër në fushën e aviacionit në Kosovë.

Sipas  tyre, këto kredenciale të fituara bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, janë tërhequr pa bazë ligjore.

SPACC potencon se e zvogëlimi i kapaciteteve humane të kësaj kategorie do të thotë rrezikim i kryerjes së funksioneve të AAC të dhëna me Ligjin për aviacionin civil, si dhe rrezikim potencial i sigurisë së aviacionit në Kosovë.

Lidhur më këto akuza, KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të drejtorit Ejupi dhe është në pritje të ndonjë deklarimi nga ana e tij.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të sindikatës së punëtorëve të Autoriteti të Aviacionit Civil:

“SPAAC shpreh indinjatën e thellë me veprimet e fundit të Drejtorit të përgjithshëm Bujar Ejupi, që po rrezikojnë ndjeshëm rolin mbikëqyrës të AAC në fushën e sigurisë dhe rregullimit ekonomik të aviacionit.

Kohën e fundit, Bujar Ejupi ka ndërmarrë një fushatë hakmarrëse personale ndaj stafit profesional të aviacionit, duke mos u brengosur për dëmin publik që kjo implikon. Me qëllim të dëmtimit të disa personave, së fundi ai ka ndërhyrë edhe në procesin e dhënies dhe mirëmbajtjes së kredencialeve të inspektorëve mbikëqyrës të aviacionit. Vlen të theksohet se në Kosovë ka vetëm 14 inspektorë të aviacionit të pajisur me këto kredenciale. Me veprimin e fundit, ai ka tërhequr në mënyrë arbitrare kredencialet e dy inspektorëve të sigurisë dhe një inspektori të rregullimit ekonomik duke reduktuar kështu numrin e inspektorëve të aviacionit në 11. Për më tepër, Ejupi vazhdimisht ka penguar ngritjen e kuadrove të reja mbikëqyrëse duke ja mohuar qëllimisht kredencialet një zyrtareje, edhe pse ka përmbushur të gjitha kërkesat ligjore, ndërsa një zyrtari tjetër ia pengon në mënyrë të vazhdueshme ndjekjen e trajnimit final që e bën atë të përshtatshëm për marrjen e kredencialeve të inspektorit të rregullimit ekonomik.

Rasti më eklatant është tërheqja e kredencialeve të Drejtoreshës për Siguri dhe Cilësi në AAC e cila më 2007 është bërë është inspektorja e parë femër në fushën e aviacionit në Kosovë. Po ashtu, me tërheqjen e kredencialeve të fituara në vitin 2017 nga i vetmi inspektor i rregullimit ekonomik të aviacionit në Kosovë, praktikisht Bujar Ejupi ka bërë të pamundur ushtrimin e mbikëqyrjes së operatorëve sa i përket mbikëqyrjes ekonomike. Ndër pesë të dëmtuarit më lartë, katër janë anëtarë të SPAAC që vërteton edhe njëherë diskriminimin e ushtruar në baza ditore nga Bujar Ejupi në AAC.

Procesi i arritjes së kredencialeve është i bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe është proces disavjeçar, me kosto të konsiderueshme për AAC-në, ku përfshihet kualifikimi shkollor, përvoja profesionale, ndjekja e trajnimeve të specializuara dhe trajnimi në vend të punës (on-the-job training), para rekomandimit nga Drejtori i Departamentit për lëshim të kredencialeve dhe delegimit/nënshkrimit të kredencialeve nga Drejtori i Përgjithshëm. Përvoja e vlefshme e krijuar nga zyrtarët e atakuar dhe lehtësia me të cilën këto kredenciale janë tërhequr në mënyrë arbitrare, pa kurrfarë baze ligjore, tregon për qasjen tendencioze dhe qëllimet e dëmshme të Bujar Ejupit.

Puna e AAC-së varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga këto kapacitete njerëzore, dhe rregullimi i aviacionit civil të vendit rëndon pikërisht mbi supet e këtyre nëpunësve të pajisur me kredenciale. Heqja e kredencialeve pa asnjë procedurë ligjore, do të thotë zvogëlim i këtyre kapaciteteve humane të certifikuara për kryerje të inspektimeve, e zvogëlimi i kapaciteteve humane të kësaj kategorie do të thotë rrezikim i kryerjes së funksioneve të AAC të dhëna me Ligjin për aviacionin civil, si dhe rrezikim potencial i sigurisë së aviacionit në Kosovë.

Përveç mbrojtjes së anëtarëve të saj përmes mekanizmave të ndryshëm, SPAAC ndjen obligim të vë në pah dhe t’i vetëdisojë palët relevante për këtë trend të dëmshëm të veprimeve të Ejupit, të cilat do të kenë efekte afatgjate dhe vështirë të riparueshme për rregullimin dhe mbikëqyrjen e aviacionit civil në Kosovë”.