Foto: Valentina Gara - Facebook

KPMShCK shfuqizon vendimet e drejtorit të AAC-së për tërheqjen e kredencialeve për tre inspektorë

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka shfuqizuar vendimet e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil , Bujar Ejupi për tërheqjen e kredencialeve për inspektorët A.D., L.K., dhe S.A.

“Vendimi është i paligjshëm pasi është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e ligjit material, ligjit për procedurën e përgjithshme administrative dhe aktet e brendshme normative që përcaktojnë kushtet dhe kriteret për dhënien dhe mbajtjen e kredencialeve të inspektorit në AAC…Kolegji i Këshillit ka gjetur se arsyetimi është dukshëm i pamjaftueshëm, i paqartë, kundërthënës apo i pakuptueshëm dhe është i barabartë me mungesën e tij”- thuhet në vendimin e siguruar nga KALLXO.com

A.D., L.K., dhe S.A. kishin bërë ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës pas vendimit të drejtorit të AAC-së, Bujar Ejupi, në qershor të këtij viti për tërheqjen e kredencialeve ndaj tre inspektorëve.

“…me datë 22.06.2022 ka nxjerrë vendimin me numër ref:31/2022, përmes të cilit ankueseve të lartë cekur ua ka tërhequr kredencialet e inspektorit për shkak se të njëjtit nuk mbajnë pozita të angazhuar me detyra të mbikëqyrjes, auditimit dhe inspektimit sipas akt emërimit dhe përshkrimit të vendit të punës, me arsyetimin se nëpunësit civil nuk mund të kenë në të njëjtën kohë akt emërime sikurse të gjithë inspektorët…” – thuhet në vendimin e KPMShCK.

Pas publikimit të vendimit të KPMShCK-së ka reaguar edhe Sindikata e Punëtorëve të AAC-së. Kjo sindikatë e ka quajtur “vendim hakmarrës” vendimin e Ejupit për tre inspektorët.

“Përmes një vendimi hakmarrës z. Ejupi ua kishte tërhequr kredencialet 3 inspektorëve në AAC. Njëra inspektore mbante kredencialet nga viti 2007 në AAC, njëherit është inspektorja e parë femër në fushën e aviacionit në Kosovë, ndërsa tjetri ishte inspektori i vetëm i rregullimit ekonomik të aviacionit në Republikën e Kosovës dhe njëherit udhëheqës i SPAAC. Inspektori i tretë është profesionist me përvojë disa dekada në operimet me helikopter. Përmes këtyre vendimeve z. Ejupi ka dëshmuar se është i gatshëm të degradojë kapacitetet mbikëqyrëse të aviacionit në Republikën e Kosovës të ndërtuara me vite në AAC, për shkak të inateve të tij personale” – thuhet në reagimin e sindikatës.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka shfuqizuar edhe vendimin për mohimin e lëshimit të kredencialeve për inspektoren, L.I. nga drejtori Bujar Ejupi.

“Po ashtu më 16.09.2022, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka marrë edhe një tjetër vendimi pozitiv për anëtaren tonë të cilës Drejtori i Përgjithshëm i AAC-së përkundër plotësimit të kushteve dhe rekomandimit nga drejtori i departamentit përkatës, në mënyrë të padrejtë i ka mohuar lëshimin e kredencialeve të inspektorit. KPMSHCK ka potencuar se “duhet të aplikohet standardi i njëjtë me qëllim që të mos ketë elemente të diskriminimit për ndonjë zyrtar të caktuar për faktin se kemi të bëjmë me investim profesional dhe financiar nga institucioni i njëjtë” – ka komentuar Sindikata e Punëtorëve të AAC vendimin për inspektoren.

Sipas të gjitha vendimeve, drejtori i AAC detyrohet që brenda 15 ditësh të nxjerrë vendim lidhur me kërkesën e ankuesit.