Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Gjykimi i ish-inspektorëve të Prishtinës, mungon një avokat, nuk mbahet seanca
Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-inspektorit të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti, i cili po akuzohet për korrupsion.
Në këtë rast Prokuroria akuzon edhe Mërgim Shalën, Skender Canollin dhe Vehbi Abdullahun, që të gjithë ish-zyrtarë në sektorin e inspekcionit për ndërtim në Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Prishtinës.
Seanca dështoi të mbahej për shkak të mungesës së mbrojtësit të Ismet Halitit, avokatit Ramiz Krasniqi, i cili sipas Halitit nuk është paraqitur për shkaqe familjare.
Haliti konsideroi që vazhdimi i seancës pa prezencën e avokatit të tij është në disfavor të tij.
“Nuk vazhdoj pa avokat”, tha Haliti.
Në këto rrethana Gjykata seancat e radhës i ka caktuar për muajt vijues, shtator e tetor.
Kujtojmë se në muajin prill të vitit 2018 dhjetë nga zyrtarët e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë dënuar nga Gjykata me rreth 20 vite burgim dhe disa prej tyre edhe me gjobë.
Kundër këtij vendimi mbrojtësit e të akuzuarve kanë paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, të cilat janë aprovuar nga kjo e fundit dhe ka kthyer çështjen në rigjykim.
Gjykata pas rigjykimit për herë të dytë ka shpallur fajtorë dhjetë të akuzuarit dhe i ka dënuar secilin me nga 6 muaj burgim dhe me gjobë.
Të pakënaqur me këtë dënim të akuzuarit Haliti, Canolli, Abdullahu dhe Shala kanë ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Gjykatës Supreme.
Në këto rrethana aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit u anuluan nga ajo Supreme e cila udhëzoi që rasti të rivendoset për herën e tretë.
Ndërkaq, në seancë të datës 15 dhjetorit të vitit 2021, prokurorja Drita Hajdari e ka ndryshuar aktakuzën si në vijim:
Pika e parë – të akuzuarit Haliti dhe Canolli akuzohen për veprën penale në bashkëkryerje – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pika e dytë ku përfshihet objekti “Dodona”, Abdullahu, Haliti e Canolli akuzohen për bashkëkryerje në veprën – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pika e tretë e aktakuzës së ndryshuar, të pandehurit e lartcekur akuzohen se në formën e bashkëpunimit-bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, ku përfshihet objekti në “Ilirida”, rruga “Xheladin Kurbaliu”.
Ne pikën katër dhe pesë tek objekti nga investitori “Ramiz Sadiku” dhe “Simon Invest” i akuzarit Haliti akuzohet për – keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ndërsa, krejt në fund të pikave të dispozitivit të kësaj aktakuze të ndryshuar, i akuzuari Shala akuzohet për – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.