Ministri Vitia 'shpërblen' inspektorët me nga 250 euro shtesa

Inspektorët shëndetësorë dhe farmaceutikë do të marrin nga 250 euro shtesa që nga ky muaj.

“Duke e pasur parasysh rëndësinë vitale të punës së Inspektoratit, me prioritet kam trajtuar të gjitha kërkesat të cilat do të ndikojnë në performancën e këtij institucioni për mbrojtjen e shëndetit publik. Nga muaji shtator, të gjithë inspektorët do të marrin shtesa prej 250 eurove. Këto shtesa do të jenë në vazhdimësi” – ka njoftuar sot ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në një takim me ushtruesen e detyrës së udhëheqëses së Inspektoratit Shëndetësor, Nora Kursani – Demjaha dhe udhëheqësen e Inspektoratit Farmaceutik, Remzije Thaçi, Vitia ka kërkuar angazhim të shtuar të inspektorëve.

Sipas njoftimit të Ministrisë, ai tha se nuk do të ketë tolerancë në rastet kur dyshojnë për drejtësi selektive.

Dy udhëheqëset kanë raportuar se gjatë këtij viti kanë realizuar 635 inspektime, prej të cilave 115 kanë qenë gjatë muajit të kaluar nga Inspektorati Farmaceutik.

Arben Vitia ka thënë se konkurset e hapura për 33 inspektorë të rinj, prej tyre 25 shëndetësorë dhe 8 farmaceutikë janë në fazat finale. Planet e Vitisë janë që të krijohen 42 pozita të reja, të cilat sipas tij, do të rrisin dinamikën e punës dhe cilësinë e performancës.

“Me rritjen e numrit të inspektorëve dhe të shtesave në pagë, si dhe me plotësimin e kushteve të punës, presim angazhim maksimal në zbatimin e ligjit për të gjithë njëjtë” – ka thënë ministri Vitia.

Ministria e Shëndetësisë pati njoftuar se me ardhjen e inspektorëve të rinj, numri i inspektorëve shëndetësorë do të shkojë nga 12 në 37.