Nuk gjen përkrahje nga institucionet, pas 10 viteve punë mbyllet Qendra Multimedia

Hapësira performuese e Qendrës Multimedia në lagjen Dardania në Prishtinë është mbyllur pas gati dhjetë vitesh funksionim, si pasojë e mungesës së mbështetjes nga Ministria e Kulturës dhe komuna e Prishtinës.

Kjo hapësirë ka shërbyer për qindra aktivitete kulturore që janë mbajtur për dhjetë  vite, të organizuara nga Qendra Multimedia dhe nga shoqatat kulturore, artistë, shkrimtarë e aktivistë të ndryshëm nga Kosova dhe nga vende të ndryshme të botës.

Përmes një njoftimi  drejtori i Qendrës Jeton Neziraj, ka thënë se një publik prej dhjetëra mijërash kanë përcjellë aty performancat e ndryshme teatrore e muzikore, leximet e qindra autorëve, diskutimet, promovimet e librave, ekspozitat e aktivitetet e ndryshme kulturore.

“Këto gati dhjetë vite menaxhmenti i Qendrës Multimedia ka bërë përpjekje të vazhdueshme të gjejë zgjidhje më të qëndrueshme për aktivitetet e saj publike,  megjithatë vullneti i komunës së Prishtinës në këtë drejtim ka munguar. Mbështetja e Komunës së Prishtinës ka qenë ose inekzistente ose minimale – në disa raste madje edhe penguese” thuhet në njoftim.

Sipas Neziraj, rrugët dhe trotuaret në lagjen Dardania ku ka funksionuar Qendra Multimedia tani po shtrohen me asfalt të ri , njësoj si rrugët e tjera të Prishtinës por sipas tij  asfalti i ri që po shtrohet  nuk do të mundet kurrë t’i fshehë gjurmët e pafuqisë, padijes, dhe mos-vullnetit të këtij qyteti për t’krijuar e mbajtur hapësira kulturore, kaq të domosdoshme.

“Prishtina sot nuk ka humbur një hapësirë dosido, por ka humbur një vend ku qytetarët, artistët, aktivistët, janë ndier të lirë të flasin, të kritikojnë pa frikë, të revoltohen por edhe të krijojnë dashuri për njëri-tjetrin, për qytetin, për vendin tonë. Sot, Prishtina ka humbur një hapësirë të lirë, një copë lirie nga ajo pak liri që i ka mbetur pa u ngulfatur nga asfalti, betoni, kishat, xhamitë e qendrat e shopping-ut”, ka thënë Neziraj.