Njesia Speciale, Ilustim, FOTO: KALLXO.com

Njësitet policore ndalojnë furgonin që ishte hyrë nga Serbia përmes rrugëve ilegale

Policia e Kosovës ka njoftuar se të shtunën, më 09.03.2024 është ndaluar një furgon i cili kishte hyrë nga Serbia në Kosovë përmes rrugëve ilegale.

Sipas forcave të rendit, furgoni ishte i ngarkuar me mallra për të cilat nuk kishte dokumentacionin e nevojshëm.

Rasti ka ndodhur në Qirkoviq të Lesposaviqit.

“Njësia policore ka ndaluar një furgon që drejtohej nga i dyshuari kosovar në të cilin kishte të ngarkuara mallra të ndryshme (qeramika, radiatorë për nxemje, motosharrë, birra, disa bidonë me benzinë, etj) për të cilat nuk kishte dokumentacion” – njofton policia.

“Gjatë legjitimimit është kuptuar se i dyshuari me furgon kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës nga Serbia përmes rrugëve ilegale” – vijon njoftimi.

Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas inicimit të rastit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli i është dorëzuar doganës.