Rifat Krasniç, Foto: Facebook

Njeriu i shkarkuar nga Vjosa Osmani rehatohet në qeverinë Kurti

Ndonëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kishte shkarkuar nga pozita e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi ishte dënuar nga gjykata për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Rifat Krasniç së fundi ka marrë pozitë në Qeverinë e Kosovës.

Krasniç është emëruar këshilltar i jashtëm politik në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, e cila udhëheqet nga Fikrim Damka.

Krasniç kishte mbajtur pozitën e anëtarit të KQZ-së nga Partia Turke e Kosovës, deri në shtator të këtij viti. Ai ishte shkarkuar nga kjo pozitë nga presidentja Osmani, pasi që Krasniç ishte dënuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Shkarkimin e Krasniçit nga KQZ-ja, e ka konfirmuar për KALLXO.com, Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Vjosa Osmani. Ai tha se Krasniç ishte shkarkuar për vepër penale.

Krasniç ishte dënuar me gjashtë muaj burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dënim ky që i ishte zëvendësuar me gjobë prej 1 mijë e 700 euro.

Për këtë emërim, KALLXO.com e ka kontaktuar ministrin Damka, i cili tha se Krasniç nuk paguhet nga buxheti i shtetit, për këtë pozitë.

“Është dënuar 6 muaj me një gjobë të cilën e ka paguar para 3 muaje. Nuk ka pagesë për këshilltar të jashtëm. Nuk e merr asnjë cent prej buxhetit të Kosovës”- tha Damka për KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me Rifat Krasniçin që nga 22 tetori. I njëjti të martën (24 tetor) shkurtismisht ka thënë se nuk mund të përgjigjej pasi ishte duke vozitur.

“Jam në makinë, jam duke vozitë… edhe jam në veturë edhe paska kallabllak. Hajde shihemi” – ka thënë Krasniç. Ai deri në publikimin e artikullit nuk ka kthyer përgjigje as në pyetjet e dërguara me shkrim.

Krasniç ishtë dënuar për keqpërdorim të detyrës zyratare në bashkëkryerje me një person tjetër pasi që të njëjtit kishin punësuar persona në shkolla pa konkurs në Komunën e Mamushës.

“… të akuzuarit C.M., në cilësinë e personit zyrtar –drejtor i Arsimit KK Mamush dhe R.K., në cilësinë e drejtorit të shkollës “Ataturk” kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe i tejkalon kompetencat e tyre me qëllim që të shkelin të drejtat e personit tjetër R.Sh.,, ashtu që me dashje nuk e zbatojnë ligjin lidhur mbi punësimin, në atë mënyrë që të akuzuarit themelojnë marrëdhënie pune … me K.M., dhe F.M., në shkollën e mesme “Ataturk”, si dhe i akuzuari i parë C.M., themelon marrëdhënie pune edhe në shkollën fillore “Anadolu” me mësimdhënësen H.Q., dhe në shkollën “Zybejde Hanem” me mësimdhënësin Sh.M. pa u zhvilluar procedura e konkursit për punësim”- thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren.

Sipas këtij vendimi, Krasniç ishte penduar për veprën e kryer dhe e kishte pranuar fajësinë.

Krasniç mban ende pozitën e drejtorit të shkollës, ‘Ataturk’ në Mamushë.