Nënshkruhet marrëveshja për financimin e projektit të zgjerimit të shtratit të Lumit 'Klina'

Një javë pas reshjeve të shiut që shkaktuan vërshime dhe përmbysje në Skenderaj, kjo Komunë ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit, për financimin e projektit të zgjerimit të shtratit të Lumit “Klina”, mes kryetarit Fadil Nura dhe ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.

Sipas marrëveshjes, do të zhvillohet projekti për zgjerimin e shtratit në të dy anët e lumit, nga fshati Klinë e Poshtme, për të vazhduar deri në Kuqicë, prej nga rrjedh ky lum.

Më 13 tetor 2022, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, për projektin e rregullimit të shtratit të Lumit “Klina”.

Më 19 janar 2023, Skenderaj ka qenë në mesin e komunave që është prekur rëndë nga reshjet e shiut që shkaktuan vërshime dhe përmbysje në disa pjesë.

Si shkak, Komuna e Skenderaj shpalli gjendje të jashtëzakonshme.

Komuna e Skenderajt ka hapur një fond për dëmet e shkaktuara nga vërshimet. Po ashtu, komuna ka krijuar 11 komisione komunale me nga 5 anëtarë terreni për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Kryetari Fadil Nura më 23 janar 2023 ka qenë pjesë e panelit në “KALLXO Pernime” ku u diskutua për vërshimet. Ai kishte folur edhe për planet për rregullimin e shtratit të lumit “Klina” dhe për rrugët tjera në Skenderaj që vërshohen edhe nga reshjet e vogla të shiut.

Fadil Nura tregon brenda sa minutave u përmbyt Skenderaj