Gjendja pas tërmetit tragjik në Turqi, Foto: CNN

Ministri për Zhvillim Rajonal kërkon nga Qeveria që të ndajë para për solidarizim me Turqinë

Ministri për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndajnë buxhet për solidarizim me Turqinë, e cila u godit nga një tërmet prej 7.8 shkallësh të Rihterit mëngjesin e 6 shkurtit.

Damka gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria të ndriçojë ndërtesën me ngjyrat e flamurit të Republikës së Turqisë.

“Dua të paraqes dy kërkesa për solidarizim me komunitetin turk, së pari Qeveria jonë të miratojë një shumë për të solidarizuar me popullin turk dhe objekti i Qeverisë të ndriçohet me ngjyrat e flamurit turk” – deklaroi Damka.

Në fjalën e tij, Damka ka falënderuar Qeverinë për veprimet e ndërmarra për t’u solidarizuar me shtetin turk, duke dërguar një kontingjent të Forcës së Sigurisë së Kosovës për ndihmë humanitare.

“Mëngjesi i 6 shkurtit ka qenë jo i zakonshëm për qytetarët e Turqisë, ky është tërmeti më i fuqishëm i regjistruar në Turqi që nga viti 1939. 13 milion qytetar i prekën nga tërmeti. Në emrin tim dhe komunitetit turk i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të viktimave të tërmetit. Falënderoj Qeverinë që ka dërguar FSK-në dhe falënderoj MSh për dërgimin e mjekëve dhe specializantëve. Tash kemi marrë iniciativën e përbashkët për ndihmë, ku pjesë janë organizatat, biznesmenët, dhe shoqatat shpresoj që të ketë edhe një nivel ndihme nga kryqi i kuq në Kosovë. Besoj që Qeveria jonë do të vazhdoj ndihmën e saj marrë parasysh kapacitete”- u shpreh Damka.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sot ka marrë iniciativë për të ndriçuar ndërtesën e Qeverisë me ngjyrat e flamurit turk.

Ndërkaq për kërkesën tjetër, tha se me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati, do të diskutojnë se çka mund të bëjnë shtesë.

“Edhe një herë bashkëngjitem me ngushëllime më të sinqerta. Qysh në mëngjes kam marrë iniciativë që ndërtesa e Qeverisë të ndriçohet me ngjyrat e flamurit të Turqisë dhe me ministrin Mehaj, e ministrin Sveçla dhe Murati do të diskutojmë se çka do të bëjmë shtesë për të ndihmuar njerëzit të cilët u goditën në mënyrë kaq tragjike e fatale nga ky tërmet i jashtëzakonshëm”- deklaroi Kurti.

Mbi 9,500 persona kanë vdekur si pasojë e tërmetit në Turqi dhe Siri.

Më shumë se 8 mijë njerëz deri më tani janë nxjerrë nga rrënojat në Turqi, ka deklaruar nënkryetari turk, Fuat Oktay. Rreth 380,000 njerëz janë strehuar në strehimoret ose hotelet qeveritare, me të tjerë të grumbulluar në qendra tregtare, stadiume, xhami dhe qendra komunitare.

Pasditen e së martës, presidenti Recep Tayyip Erdoğan shpalli një zonë fatkeqësie në 10 provincat e prekura nga tërmetet, duke vendosur një gjendje të jashtëzakonshme në rajon për tre muaj.

Ndërkaq të hënën, Qeveria e Kosovës mori vendim për dërgimin e një kontigjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës është nisur drejt Turqisë për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i sotëm.