Ilustrim

Nis takimi Kurti - Borrell

Në kryeqytetin francez Paris, ka filluar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Borrell më vonë do të zhvillojë një takim edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këto takime i ka paralajmëruar dje Petar Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

“Kosovë/Serbi: Të vazhdojë Bashkimi Evropian përpjekjet për të ndihmuar Serbinë dhe Kosovën  për të de-përshkallëzuar, për të zbutur tensionet aktuale dhe për të avancuar në dialogun e lehtësuar nga BE, Josep Borrell do të takohen me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiq nesër në Paris në takime të ndara”, ka shkruar ai në Twitter.

Në Forumin për Paqe në Paris, bashkë me kryeministrin Kurti po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Dje, në Pallatin Elysée, Osmani dhe Kurti janë pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Osmani në një postim tha se bashkë me Macron kanë diskutuar për partneritetin mes dy shteteve, dinamizimin e dialogut me Serbinë si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ndërsa, temë diskutimi mes Kurtit, Osmanit e Macron kanë qenë zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri ka theksuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman do të shërbejë si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.