Nis gjykimi i parë në mungesë ndaj të akuzuarit për krime lufte në Kosovë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot u mbajt gjykimi i parë në mungesë për krime lufte.

Ky gjykim po zhvillohet ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, që akuzohet për krime të kryera mbi popullatën civile gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore janar-maj të vitit 1999.

Çedomir Aksiq akuzohet se në periudhën janar-maj 1999, në Komunën e Shtimes, ka kryer vepra të rënda të shkaktuara ndaj popullsisë civile shqiptare. Këto vepra përfshijnë vrasje, vuajtje, dëmtime të mëdha fizike, cenim të integritetit të trupit dhe shëndetit, shpërndarje të frikësimit dhe urdhërime për zhvendosjen e popullsisë civile.

Gjyqtarja e çështjes, Violeta Namani konstatoi se janë plotësuar kushtet dhe dispozitat ligjore për mbajtjen e gjykimit në mungesë sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për të akuzuarin Aksiq.

Në shqyrtimin fillestar lidhur me këtë çështje, nuk ishte prezent i akuzuari Aksiq dhe gjykata deklaroi që për vendndodhjen e të njëjtit nuk kanë informacion. Edhe prokurorja speciale e rastit, Habibe Salihu deklaroi që janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore për sigurimin e të pandehurit.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e rastit, gjyqtarja Namani e udhëzoi avokatin mbrojtës të të akuzuarit, Zharko Gajiq që në afatin ligjor brenda 30 ditësh të paraqes kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

Sipas dosjes së prokurorisë, Çedomir Aksiq, së bashku me një grup ende të panjohur kriminal, akuzohet se në fillim të prillit të vitit 1999 ka drejtuar një operacion në një zonë të njohur si “Kodra e Gështenjave”, që ndodhet në mes të Komunës së Shtimes dhe fshatrave Mollopolc, Reçak dhe Petrovë. Ata akuzohen për urdhërimin dhe dëbimin e banorëve të kësaj zone, si dhe për kryerjen e ekzekutimeve dhe shkatërrimin e shtëpive të vëllezërve Ruzhdi, Sadri, Rexhep dhe Hamdi Jashari në Shtime, më të cilat veprime kishin shkaktuar dëme në vlerë prej 300 mijë euro.

Në datat 13-14 maj 1999, sipas dosjes së prokurorisë, në një vend të njohur si “Lugu i Neshës” në fshatin Pertovë të Shtimes, Halil Hysenaj, tashmë i ndjerë, po qëndronte me familjen e tij dhe të tjerë pjesëtarë të komunitetit shqiptar që kishin zgjedhur të qëndronin në mal për t’u mbrojtur nga sulmet e forcave serbe. Kur forcat serbe kishin filluar të drejtoheshin drejt vendndodhjes së tyre në mal, Halil Hysenaj ishte nisur për të konfirmuar nëse ata ishin pjesëtarë të UÇK-së apo forcave serbe. Hysenaj ishte ndaluar nga i akuzuari Aksiq, i cili kishte veshur një uniformë “lara-lara” dhe kishte përdorur një armë pushkë 10-she, duke shtënë ndaj tij. Më vonë, trupi i të njëjtit ishte gjetur pa shenja jete nga banorët e fshatit.

Tutje, i akuzuari Aksiq së bashku me grupin e tij, sipas dosjes së prokurorisë, më datën 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e disa individëve gjatë sulmit të armatosur ndaj popullatës civile shqiptare, përfshirë Hajriz Brahimi, Hakin Murati, Sabri Murati, Arif Murati, Ahmet Mustafa, Sadik Mujota, Skënder Halili dhe Hanumshahe Mujota.

Sipas dosjes së prokurorisë, në momentin kur i moshuari Hajriz Brahimi, tashmë i ndjerë, po përpiqej të largohej nga shtëpia e tij dhe po shkonte në drejtim të malit, Çedomir Aksiq dhe grupi i tij kishin shtënë drejt tij me armë zjarri duke e lënë të vdekur brenda sekondash. Më pas, ishin afruar pranë të ndjerit, duke shtënë përsëri me armë në drejtim të tij, për t’u siguruar që ai të kishte vdekur. Në të njëjtën kohë, pas disa çastesh, të njëjtit kishin shtënë me armë edhe në drejtim të të moshuarëve – vëllezërve Haki, Sabri dhe Arif Murati, të cilët kishin mbetur të vrarë në vend, ku më pastaj ishin afruar pranë tyre duke i goditur përsëri me plumba.

Tutje, sipas dosjes së prokurorisë, i akuzuari Aksiq së bashku me grupin kishin zbritur poshtë fshatit në shtëpinë e Ahmet Mustafës, duke thyer derën me forcë dhe duke nxjerrë Ahmetin, gruan e tij Salën dhe Mentor Halilin nga shtëpia e tyre, ku në prezencën e bashkëshortes Sala dhe Mentorit vranë Ahmet Mustafën, ndërsa Mentori kishte arritur të shpëtonte.

Në ato momente, Aksiq dhe grupi i tij kishin shtënë me armë, duke e vrarë edhe Sadik Mujotën, i cili ishte duke kaluar rrethojën e oborrit me qëllim që të largohej nga vendi ku ndodheshin të njëjtit, dhe duke e plagosur në këmbë Skënder Halilin i cili kishte mbetur i shtrirë për tokë.

Vajza e Sadik Mujotës, sipas dosjes së prokurorisë, Hanumshahe Mujota nëpër breshëri plumbash kishte shkuar t’i ndihmonte babait të saj por kishte mbetur e vrarë afër kufomës së babait të saj. Skënder Halili që ishte plagosur në këmbë, e kishin goditur përsëri me qëllim që të sigurohen se ka vdekur, nga aty kishin shtënë dhe kishin lënë të vdekur edhe Mehmet Mustafën në oborrin e shtëpisë.