Nis debati parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19

Kuvendi i Kosovës ka nisur debatin parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Uran Ismaili, nga Partia Demokratike e Kosovës e cila e ka ftuar këtë debat, tha se PDK e ka thirr këtë debat shkaku i rëndësisë që të flitet për pandeminë.

“Asnjëra prej 3 qeverive nuk dha përgjigje për çështjen e vaksinimit, për investimet për blerjen e barnave me çmime të shtrenjta dhe nuk u krijuan rrethana lehtësuese për qytetarët… Prej tri qeverive rezultati mijëra të vdekur, dhjetëra mijëra të infektuar dhe qindra biznese të falimentuara. Prandaj e kemi thirr këtë debat”, tha Ismaili.

Ismaili tha se edhe qeveria Kurti 2 po shkon hapave të qeverisë Hoti duke zgjedhur heshtjen, ikjen e fshehjen, në vend të transparencës dhe veprimit.

“Problemi është qe qeveria Kurti dy mungon në veprim në Kosovë. Prioritet për të ishte Bojkeni zgjedhjet në Shqipëri e jo qytetari i Kosovës. I pa falshëm është refuzimi i vaksinave të kryeministrit të Kosovës nga Shqipëria. Ky debat i thirrur sot nga PDK ka për qëllim ta kthej në Kosovë vëmendjen e Qeverisë së Kosovës”, tha Ismaili.

Ai tha se në Kosovë patën episod të shkurtët të vaksinimit.

“Jemi kryeqyteti i vetëm në Evropë që s’kemi vaksinim aktiv. Qeveria nuk përgjigjet edhe sa vaksina na duhen neve në Kosovë. Nëse marrim personat mbi 18 vjet Kosova ka nevojë për 2 milionë e 500 mijë vaksina në mënyrë që të vaksinohet gjithë popullata e Kosovës”, shtoi ai.

Ismaili tha se Kurti dhe Vitia po përpiqen ta paraqesin si sukses një kontingjent prej 25 mijë vaksinave kur në realitet është 2 milion e 500 mijë.