Euro, foto: Pixabay

Ngritja e çmimit të tatimit në pronë, reagon Komuna e Prishtinës

Ditëve të fundit ka pasur shumë reagime nga qytetarët rreth ngritjes së çmimeve të tatimit në pronë në Komunën e Prishtinës.

Komuna e Prishtinës ka dalë me një njoftim duke cituar dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Krahas kësaj thuhet se autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave, e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave.

“Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit” – thuhet në reagimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tyre, Komuna e Prishtinës, nuk e ka bërë përcaktimin e shumave në faturat e qytetarëve për vitin tatimor 2023.

Ndërkaq edhe nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj përmes një postimi ka deklaruar duke thënë se Ministria e Financave ka bërë rivlerësim të pronave.

“Norma e tatimit është e njëjtë, por Ministria e Financave ka bërë rivlerësim të pronave dhe i ka vlerësuar më lartë! Andaj, dhe do të pagujmë më shumë. As ne si Komunë nuk jemi njoftuar mirë për këtë punë!” – ka shkruar Zogaj në rrjetin social “Twitter”.