Nga QKUK flasin për gjendjen e personit të goditur nga rrufeja në Rahovec

Një person nga Rahoveci është goditur nga rrufeja sonte rreth orës 19:00.

Viktima për shkak të gjendjes së rënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim.

KALLXO.com ka kontaktuar me mjekun kujdestar në QKUK, Naser Syla, i cili ka thënë se gjendja e pacientit është e rëndë.

“Gjendja e pacientit është shumë e rëndë”, ka thënë Syla për KALLXO.com.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Sot rreth orës 19: 00 Stacioni Policor-Rahovec është njoftuar se një person i moshës madhore ishte goditur nga rrufeja. Viktima, i gjinisë mashkullore, i moshës madhore nga familjarët është dërguar në QKMF-Rahovec, nga ku është dërguar pastaj në Spitalin Rajonal të Gjakovës, mirëpo për shkak të gjendjes së rënduar viktima është dërguar në QKUK për trajtim të mëtejmë. Rasti është duke vazhduar me hetime”, ka thënë Elezaj për KALLXO.com.

Një muaj më parë, rrufeja kishte vrarë një shtetas turk dhe kishte lënduar një tjetër në fshatin Zatriq të Rahovecit.

Ndërsa më 3 qershor rrufeja kishte vrarë një person në Petrovë të Prizrenit.

Rahovec, rrufeja godet një person, dërgohet në QKUK