Rahovec, rrufeja vret një person, lëndohet një tjetër

Një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është lënduar në fshatin Zatriq të Rahovecit pasi dyshohet se janë goditur nga rrufeja.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi.

“Me datë 06.06.2022 në ora 15:55, përmes thirrjes emergjente 112, Stacioni Policor-Rahovec është  njoftuar se në fsh. Zatriq-Rahovec si pasojë e kushteve atmosferike dy persona (shtetas turq), derisa kishin qenë duke punuar, dyshohet të jenë goditur nga rrufeja. Patrullat policore së bashku me autoambulancë kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë ai.

“Njëri nga viktimat (lindur në vitin 1988) është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren, atje mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij. Ndërsa viktima tjetër (lindur në vitin 1994) fillimisht është dërguar në QKMF në Malishevë dhe pastaj në QKUK-Prishtinë. Sipas mjekut kujtestar në QKUK gjendja e viktimës në fjalë është jashtë rrezikut për jetë. Në vendngjarje kanë dalë njësitet relevante të policisë si dhe është njoftuar prokurori i shtetit, sipas të cilit është iniciuar rast – hetim i vdekjes”, ka shtuar tutje Elezi.