Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës.

Nga e hëna fillon faza e dytë e reformës në arsim në Kamenicë

Komuna e Kamenicës nga e hëna do të fillojë fazën e dytë të reformës në arsim në dy shkolla.

Kështu ka bërë të ditur sot në një konferencë për media, Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati i cili ka treguar se nga e hëna do të fillojë faza e dytë e reformës në arsim në shkollën “Rexhep Mala” në Topanicë dhe në shkollën “Abdullah Krashnica” në Koretin.

Sipas një njoftimi, Kastrati  tha se nxënësit e të dy shkollave të ciklit të ulët (klasa zero deri në klasën e pestë) mësimin do të vijojnë në shkollën “Abdullah Krashnica” në Koretin, ndërsa ata të ciklit të lartë poashtu të dy shkollave (klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë) në shkollën “Rexhep Mala” në Topanicë.

Përderisa sipas tij shkolla në Petrovc “Xhelal Sopi” do të bashkohet me shkollën në Dobërçan “Nazim Hikmet”, pas marrëveshjes me Komunën e Gjilanit.

“Sot po vazhdojmë me fazën e dytë të reformës, ku do të përfshihen këto shkolla, “Rexhep Mala” në Topanicë “Abdullah Krashnica” në Koretin. Poashtu kemi bërë marrëveshje me Komunën e Gjilanit që shkolla në Petrovc “Xhelal Sopi”  të bashkohet me shkollën në Dobërçan “Nazim Hikmet”. Ashtu siç kemi bërë edhe në fazën e parë ku është vendosur që për secilën klasë të jenë nga 20 nxënës, edhe në këtë fazë do të jetë kështu. Kjo fazë do të përfshijë këto shkolla pasi që është numër i vogël i nxënësve për klasë, ku shkolla në Topanicë ka 143 nxënës, ajo në Koretin 308 nxënës, ndërsa në Petrovc 104 nxënës”, ka thënë ai.

Ai i bëri thirrje prindërve që t’i bashkohen kësaj reforme pasi që sipas tij kjo është në të mirë të nxënësve.

Kastrati qysh nga fillimi i idesë së tij se do të bëjë reformë në arsim është përballur me protesta dhe reagime.

Vendimin ai e mori më 30 gusht të këtij viti, derisa tha se është vendimi më i vështirë që e ka marrë në jetë. Ai pretendon që me këtë vendim të zvogëlojë numrin e shkollave, t’i socializojë nxënësit dhe të organizojë transport për ta, në mënyrë që të ketë një kosto më të vogël.

Vendimi, i cili është pjesë e projektit për reforma në arsim dhe ka qëllim mbylljen e shkollave në disa fshatra, është kundërshtohet fuqishëm nga nxënësit por edhe mësimdhënësit.

Kamenicë, nuk respektohet vendimi i kryetarit Kastrati për mbylljen e shkollave

www.kallxo.com