Shkolla "Hasan Prishtina" në Busovatë të Kamenicës - Foto: KALLXO.com

Kamenicë, nuk respektohet vendimi i kryetarit Kastrati për mbylljen e shkollave

Nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina” në Busavatë të Kamenicës mësimin e filluan në këtë shkollë, ani pse sipas vendimit të kryetarit të Komunës, Qëndron Kastratit, do të duhej të ishin në shkollën fillore “Fan Noli” në qytet.

Vendimi, i cili është pjesë e projektit për reforma në arsim dhe ka qëllim mbylljen e shkollave në disa fshatra, po kundërshtohet fuqishëm nga nxënësit por edhe mësimdhënësit.

Ismet Maliqi, mësimdhënës i shkollës “Hasan Prishtina”, tha për KALLXO.com se vendimi i Kastratit është bërë pa kritere.

“Për t’u mbyll një shkollë mendoj duhet pasur disa kritere. Cili kriter është përdorur në nivel komunal ose shtetëror? Shkolla i ka mbi 110 nxënës, ne e kemi largësinë prej këtu deri në Kamenicë 6 kilometra, ka familje që i kanë edhe 6 tjera”, tha ai.

Ismet Maliqi, mësimdhënës në shkollën “Hasan Prishtina”.

Edhe nxënësit prapa kamerës së KALLXO.com kanë pranuar se nuk dëshirojnë që të ndërrojnë shkollën e tyre.

Kurse, drejtori i shkollës “Hasan Prishtina”, Afrim Maliqi, tha se për moszbatimin e vendimit të Kastratit ka pasur presione gjatë këtyre dy ditëve. Ai po ashtu tregoi se nuk janë dërguar as tekstet e reja shkollore dhe as ditarët në këtë shkollë.

Afrim Maliqi, drejtor i shkollës “Hasan Prishtina”.

“Jam detyruar ta nis mësimin me ditarin e vitit 1990, në gjitha shkollat i kanë dërguar ditarët, unë i kam kërkuar, janë zotuar paret prej shkollës tonë janë blerë, nuk janë sjellë këtu. Në gjitha shkollat librat që kanë ardhë janë dërgu, në shkollën time jo, a thua kjo nuk është presion?”, tha Maliqi për KALLXO.com.

Ndërsa kreu i kësaj Komune, Qëndron Kastrati u shpreh i bindur se vendimi i tij do të mbetet në fuqi pavarësisht kundërshtimeve.

Kastrati shtoi se nëse nxënësit nuk ndjekin mësimet sipas vendimit të tij, ata do të mund ta humbin vitin.

Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës.

Vendimi është marrë dhe institucionet arsimore ligjore janë ato që ka vendos komuna. Unë po u bëj thirrje prindërve, nëse ata i dërgojnë nxënësit në vendet të tjera që nuk është institucioni arsimor prej Komunës, ata nxënësit do të pësojnë pse nuk konsiderohen që e kanë vijuar mësimin si duhet dhe munden me humb vitin”, tha ai për KALLXO.com.

Kastrati qysh nga fillimi i idesë së tij se do të bëjë reformë në arsim është përballur me protesta dhe reagime.

Vendimin ai e mori më 30 gusht të këtij viti, derisa tha se është vendimi më i vështirë që e ka marrë në jetë.

Ai pretendon që me këtë vendim të zvogëlojë numrin e shkollave, t’i socializojë nxënësit dhe të organizojë transport për ta, në mënyrë që të ketë një kosto më të vogël.