Arkiv

Nga e hëna fillojnë përgatitjet për testin e arritshmërisë në Skenderaj

Komuna e Skenderajt ka njoftuar nxënësit e klasave të 9-ta se mësimi plotësues për përgatitjen e testit të arritshmërisë do të fillojë të hënën.

Po ashtu, Komuna ka njoftuar se ky mësim plotësues do të zgjas deri më 19 qershor.

“Njoftohen të gjithë nxënësit e klasave të IX- ta se mësimi plotësues për përgatitjen e testit të arritshmërisë, do të fillojë nga dita e Hënë 08.06.2020 dhe do të zgjas deri më 19.06.2020”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.

Më 11 mars, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për ndërprerjen e mësimit në të gjitha institucionet shkollore të vendit.

Më 23 mars 2020, ka filluar mësimi nga distanca, fillimisht vetëm në lëndën e matematikës dhe gjuhës shqipe e më pas edhe në lëndët e tjera mësimore.

Mësimi është transmetuar në mediumin publik, RTK, në kanalin RTK1 dhe RTK4 si dhe në uebfaqen emesimi.rks-gov.net.

Edhe nëpër universitete, ligjëratat janë mbajtur online.

Në muajin maj, Ministria e Arsimit ka marrë vendim që matura shtetërore për këtë vit do të mbahet në javën e parë të muajit korrik 2020.

“Për ditën/datën e saktë të testimit do të vendoset ditët në vijim, pas konsultave edhe me institucionet tjera. Duke marrë parasysh situatën me pandeminë, në konsultim me IKSHPK-në, provimi i maturës do të organizohet në atë mënyrë që të ketë numër sa më të vogël të maturantëve brenda një qendre të testimit dhe brenda klasave të testimit, në mënyrë që zbatohen të gjitha masat për mbrojtje dhe parandalim të Covid 19”, është bërë e ditur në një njoftim për media.

Tutje është bërë e ditur se provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë maturantët.