Nënshkruhet marrëveshja prej 47 milionë euro me Bankën Botërore për reformimin e skemës sociale

Ministria e Financave ka nënshkruar një marrëveshje që ka për synim reformimin dhe zgjerimin e skemës së asistencës sociale në vlerë 47 milionë euro.

“Ky projekt do të sigurojë mbështetje për të gjitha familjet në nevojë, por të njëjtën kohë edhe do të ndërtojë mekanizmin që i ndihmon ato familje të dalin nga varfëria, duke siguruar ndërlidhjen me tregun e punës”, ka shkruar ministri i Financave, Hekuran Murati.

Sipas Ministrisë së Financave, investimet për përforcimin e sistemeve të ofrimit të mbrojtjes sociale pritet të jenë rreth 5 milionë euro, ndërsa shuma prej më se 40 milionë euro do të orientohet drejt përmirësimit të performancës së Skemës së Ndihmës Sociale.

Ministri Murati ka theksuar se kjo shënon edhe fillimin e zbatimit të Masës 3.3 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për Reformimin e Skemës së Asistencës Sociale.