Nënshkrimi i peticionit në Mitrovicë të Veriut, Policia flet për situatën e sigurisë

Me dhjetëra qytetarë, që kanë një qëllim të përbashkët, janë mbledhur që nga orët e para të mëngjesit sot tek stacionin i autobusëve në Mitrovicën e Veriut për të vazhduar më pas në sallën sportive të këtij qyteti.

Ata shkuan aty për të nënshkruar një peticion, përmes së cilit po kërkojnë shkarkim e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Verit, Erden Atiq.

Atiq këtë pozitë zyrtarisht e mori para më pak se një viti, më 19 maj 2023.

Përpos EULEX që monitoronte situatën nga afër, të angazhuar në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti kanë qenë edhe Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se situata është e qetë.

“Nga aspekti i sigurisë çdo gjë ka qenë në rregull” – tha Elshani.

Për tu përmbushur kërkesa që kanë banorët e këtij qyteti, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duhen gjithsej 3 mijë e 640 nënshkrime.

Ky peticion është i organizuar nga grupi iniciatorë serb, e kjo ishte konfirmuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal në veri të Mitrovicës, Nexhat Uglijani.

Ndryshe, më datë 15 janar, Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka miratuar kërkesën e grupit iniciatorë serb për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit.

Erden Atiq u zgjodh kryetar i kësaj komune në prill të vitit të kaluar në zgjedhjet që u mbajtën në katër komunat veriore të Kosovës.

Ai pozitën që e fitoi e mori zyrtarisht më 19 maj 2023, pas betimit që ai bëri.

Disa muaj më vonë, më 13 tetor 2023, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ndryshoi qëndrim duke njoftuar se do të marrin pjesë në zgjedhjet e paralajmëruara në katër komunat veriore.

Zgjedhjet e 23 prillit në të cilat katër komunat – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq – u fituan nga kryetar shqiptarë, u bojkotuan nga Lista Serbe.

Lajm në zhvillim – Shkarkimi i kryetarit Atiq – Qytetarëve u prijnë zyrtarë dhe ish zyrtarë të Listës Serbe