Katarina Agjançiq, Foto:Arjana Berisha, KALLLXO.com

Nënkryetarja serbe e Mitrovicës së Veriut: Emërimi im, iniciativë e qytetarit

Në Qendrën Mediale në Çagllavicë, po mbahet debati me temën “Komuna e Mitrovicës së Veriut – sfidat dhe mundësitë”. Pjesëmarrëse në panel është edhe Katarina Agjançiq, nënkryetare e Mitrovicës së Veriut, e cila foli edhe për emërimin e saj në këtë pozitë.

Agjançiq ka folur për vështirësitë që kishin nga mungesa e qeverisjes lokale.

“Në mungesë te institucioneve lokale është dashur t’i kryejmë procedurat dhe vlerësimin e dëmit përmes qeverisë lokale. Me këtë e kam vërejtur që me mungesën e qeverisë lokale është një barrë e madhe për qytetarët. Kanë qenë rrethanat nuk ka qenë politikë. Unë nuk jam politikane. Kjo ka qenë një ativitet ku kam përfaqësuar 93 familje dhe kam mbrojtur të drejtat e tyre dhe me këtë aktivitet njerëzit e kanë parë se kjo nënkupton diçka”- ka thënë ajo.

Tutje, nënkryetarja emërimin e saj e ka quajtur iniciativë të qytetarit.

“Nëse me keni dhënë besimin unë do të përfaqësoj të gjithë njëjtë. Të shohim se cilët janë problemet, prioritetet dhe pikërisht për shkak të mosfunksionimit ne duhet të bëjmë deriktoriatet e reja dhe t’i zgjidhim problemet”- ka thënë ajo.

Agjançiq më 19 maj 2023, ka pranuar pozitën e nënkryetares së Mitrovicës së Veriut, pas zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat veriore.

Në Mitrovicë të Veriut, kryetar është zgjedhur Erden Pantiq nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai dha betimin si kryetar javën e kaluar.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Këto komuna, deri nëntorin e kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.