Arkiv: Ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Jugut
Në shtator fëmijët në Shipolit të Mitrovicës pritet të bëhen me çerdhe
Në shtator të vitit të kaluar, KALLXO.com kishte publikuar një shkrim rreth problemeve kryesore në shëndetësi, mirëmbajtje, infrastrukturë e arsim në Komunën e Mitrovicës.
Në kuadër të këtyre problemeve, ishte evidentuar edhe mungesa e çerdheve në këtë komunë.
Komuna e Mitrovicës edhe pse është njëra nga Komunat më të mëdha në vend ka vetëm një çerdhe publike e cila është në dispozicion të rreth 300 fëmijëve të kësaj komune.
Mitrovica ka edhe dy çerdhe private të cilat menaxhohen jashtë dikasterit të Drejtorisë së Arsimit në Mitrovicë.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në zgjedhjet e vitit 2017, në ‘DebatPernime’ me Jeta Xharrën kishte premtuar se do të ndërtonte tre çerdhe në Mitrovicë, por kjo nuk është realizuar në tri vitet e para të mandatit të dytë të Bahtirit, pasi që në Komunën e Mitrovicës, nuk është ndërtuar asnjë çerdhe.
Pak ditë pas publikimit të shkrimit në KALLXO.com, në të cilin është cekur se Komuna e Mitrovicës ka vetëm një çerdhe, me 9 tetor Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se është vënë gurthemeli për ndërtimin e çerdhes në fshatin Shipol të Mitrovicës.
“Në Shipol të Mitrovicës sot është vënë gurthemeli për ndërtimin e një çerdheje publike në vlerë prej 300 mijë eurosh, bashkëfinancim ky mes Komunës së Mitrovicës dhe Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal, për këtë çerdhe komuna ka ndarë 200 mijë euro, dhe shpreson që shumë shpejtë të përfundojë objekti, dhe në muajin shtator të vitit të ardhshëm fëmijët të kenë mundësi të vijojnë mësimin në këtë çerdhe“, thuhet në njoftimin e komunës të publikuar me 9 tetor 2020.
KALLXO.com do të vazhdojë të raportoj nëse çerdhja do të jetë në funksion në shtator të këtij viti.
Agimi Bahtiri mban fjalën për fillimin e ndërtimit të çerdhes në Shipol të Mitrovicës