Në pesë raste të dhunës në familje, viktima janë gratë

Pesë raste të dhunës në familje janë regjistruar dy ditëve të fundit në pesë qytete të ndryshme të Kosovës.

Sipas raportit policor, në të pestat raste, viktimë e dhunës në familje, janë gratë.

Në Drenas, më 2 maj, një grua ka njoftuar forcat e rendit se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër ka ndodhur në Prishtinë gjatë ditës së djeshme.

Një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj e ka sulmuar fizikisht dhe i ka marrë 300 euro para. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante.

Edhe një grua në Gjakovë ka qenë pre e sulmit fizik nga burri i saj.

Sipas policisë, i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Rahovec është arrestuar një person pasi i njëjti ka sulmuari fizikisht një grua. I dyshuari ishte nën ndikim të alkoolit dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Mitrovicën e Veriut raportohet se është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka shkuar në vendin e punës të ish bashkëshortes së tij dhe e ka sulmuar atë dhe një koleg të saj.

Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.