Në muajt e pandemisë Prishtina intensifikoi larjen e rrugëve

Nga data 17 mars 2020, është vënë re një aktivitet i shtuar i larjes dhe dezinfektimit të rrugëve, shesheve dhe hapësirave tjera për këmbësorë në kryeqytet.

Sipas komunës, kjo po bëhet si masë parandaluese për përhapjen e COVID-19.

Dukagjin Gashi, udhëheqës i sektorit për menaxhimin e mbeturinave dhe ambientit, në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, por njëkohësisht dhe menaxher i kontratës për mirëmbajtjen e rrugëve tha për KALLXO.com se larja me termine të shtuara  po vazhdon edhe pas lehtësimit të masave tjera.

“Fshirja e rrugëve bëhet në mëngjes, kurse larja në mbrëmje. Larja e rrugëve bëhet në bazë të kategorive, janë gjithsej pesë kategori”, shpjegon Gashi.

Ai ka treguar se sheshet lahen çdo natë, kategoria A e rrugëve që normalisht lahen dy herë në javë, tash lahen katër herë në javë,

Tutje kategoria B  e rrugëve që lahen një herë në javë,  tash lahen dy herë në javë.  Kategoria C që lahen një herë në muaj, tash lahen dy herë në muaj.

Ndërkaq, Gashi shpjegon se  kategoria D e rrugëve, që janë rrugë me pamundësi për tu larë  për shkak që nuk e kanë të rregulluar  kanalizimin atmosferik, vetëm pastrohen, fshihen, ju mbledhen mbeturinat, etj..

“Përpara pastrimi në këto rrugë është bërë një herë në muaj tash bëhet dy herë në muaj, si minimum që bëhet”, shton Gashi.

Zyrtari komunal ka treguar se për larjen e rrugëve në kryeqytet, angazhohen 6 kompani.

Pastrimi fillon të bëhet nga ora 10 e mbrëmjes, përvec në ndonjë zonë, përshembull banorët e fshatit ndërkombëtar kanë kërku që larja e rrugëve të bëhet gjatë ditës, ndërsa në vende të tjera kryesisht natën, domethënë nga ora 10 e mbrëmjes deri në përfundim, siç e kanë të paraparë në orar. Pastrimi bëhet çdo natë, nga 6 kompani. Secila nga kompanitë, ka orarin e vet të operimit.”, thotë ai.

Përveç kryeqytetit, shumë komuna të Kosovës kanë bërë larjet periodike të rrugëve dhe dezinfektime shtesë të ndërtesave të banimit së bashku me masa tjera të parandalimit të virusit.

Momentalisht në Kosovë janë regjistruar 1384 të infektuar, prej tyre 920 të shëruar dhe 32 të vdekur.