Foto: REL/Reuters

Në luftimet për Nagorno-Karabakun, raketa të prodhuara nga Serbia dhe lidhje me tregtarë në listën e zezë

Në shpërthimin e fundit të luftimeve rreth Nago-Karabakut, forcat armene kanë qëlluar me raketa të prodhuara në Serbi , një lloj armatimi ky i blerë më parë nga një kompani e ndërlidhur me Slobodan Tesic, një tregtar armësh i cili figuron në listën e zezë të SHBA.

Armë të prodhuara në Serbi, një lloj armësh këto të shitura më parë nga shteti serb tek një kompani private e lidhur me një tregtar serb armësh i cili figuron në flistën e zezë të Shteteve të Bashkuara, janë përdorur në luftimet e rinisura midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin e diskutueshëm të Nagarno-Karabak, mund të zbulojë BIRN.

Më 28 shtator, ‘Azeri Defense’, një revistë e industrisë së mbrojtjes, botoi fotografi të mbetjeve të një rakete që tha se u qëllua nga forcat armene nga raketahedhëset BM-21 Grad në qytetin azerbajxhanas të Horadiz, pak para se të lansohet nga Nagorno-Karabaku.

Një shënim përmes të cilit lexohet ‘KV 05/19’ tregon se raketa me rreze të gjatë G-2000 u prodhua nga prodhuesi shtetëror serb i armëve ‘Krusik’, në qytetin e Valjevës, në vitin 2019. Shënimi ‘EDePro’ tregon se motori i raketës u bë nga një kompani tjetër serbe, ‘EDePro’ me qendër në Beograd.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, në 2018 ‘Krusik’ nënshkroi një kontratë për të njëjtin lloj raketa me rreze të gjatë kalibri 122 mm G-2000 me ‘Vectura Trans’, një kompani private e armëve e lidhur me tregtarin e armëve Slobodan Tesic.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Tesic në vitin 2017, duke e akuzuar atë për mitmarrje dhe shkelje të embargos së armëve. SHBA e shtoi edhe ‘Vectura Trans’ në fund të vitit 2019, duke pretenduar se Tesic e përdori kompaninë të themeluar pikërisht në vitin kur u fut në listën e zezë – për të shmangur sanksionet në tregtinë e tij të armëve.

Kompania ‘Vectura Trans’ nënshkroi një kontratë me ‘Krusik’ në vitin 2018 për të blerë, mes armëve të tjera, 10 raketa G-2000 me një vlerë totale prej 34,000 dollarësh. Sipas dokumenteve në të cilat BIRN kishte qasje vizuele, armët ishin të destinuara për Armeninë.

‘Lojë e dyfishtë”

I pyetur për të konfirmuar se cila kompani ka marrë lejen e eksportit për armët, ministria e tregtisë së Serbisë, e cila është përgjegjëse për eksportet e armëve, i tha BIRN se do të jipte një përgjigje porse nuk e bëri asnjëherë. ‘Vectura Trans’, ‘Krusik’ dhe ‘EDePro’ gjithashtu nuk iu përgjigjën kërkesave për komente.

Megjithatë, në fund të muajit korrik, Ministri i Tregtisë, Rasim Ljajiç, tha se Serbia kishte lëshuar 19 leje për eksporte armësh në Armeni që nga viti 2017, kur filluan të bëhen eksporte të tilla. Pesëmbëdhjetë sosh u lëshuan për ‘Vectura Trans’, tre për ‘Partizan Tech’ dhe një në pronësi të shtetit ‘Zastava Oruzje’. Ashtu sikurse ‘Vectura Trans’, ‘Partizan Tech’ është pjesë e listës së sanksioneve të SHBA për të punuar në emër të Tesic.

Në fillim të të njëjtit muaj, e përjavshmja serbe NIN raportoi se ‘Vectura Trans’ kishte dërguar armë në Armeni nga tre prodhues shtetërorë serbë, duke përfshirë kompaninë ‘Krusik’, vetëm disa ditë para një shpërthimi tjetër mbi Nagorno-Karabak.

Ndërsa nuk ka embargo të detyrueshme për eksportet e armëve në Azerbajxhan ose Armeni, sipas ligjit serb çertifikata e përdoruesit të fundit – e cila duhet të specifikojë përfituesin përfundimtar të armëve – mund të refuzohet nëse armët “mundësojnë shpërthimin ose vazhdimin e konflikteve tjera të armatosura dhe në shtetin e përdorimit përfundimtar. ”

Rashad Suleymanov, kryeredaktor i Azeri Defence, tha se natyra e armëve tregonte një afrim të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Armenisë.

“Këto raketa janë sisteme moderne, me raketa të shumta lëshimi dhe kanë një distancë shumë të gjatë që tregon se qeveria serbe vendosi të mbështesë Armeninë dhe separatistët [në Nagorno-Karabak],” tha Suleymanov për BIRN.

“Serbia dhe Azarbejxhani kanë marrëdhënie të mira ekonomike dhe politike dhe kjo tregon se Serbia po luan lojë të dyfishtë.” 

Embargo  ‘vullnetare’ e armëve

Kombet e Bashkuara, KB, dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, vendosën një embargo armësh ndaj Azerbajxhanit në fillimin e viteve 1990 për shkak të luftës për Nagorno-Karabakun.

Qysh atëherë KB ka hequr embargon por OSBE, e cila monitoron armëpushimin e paqëndrueshëm në rajonin diskutabil, nuk e hoqi ndaj këtij vendi. Megjithatë, embargo e OSBE-së është e një natyre vullnetare, shumëpalëshe dhe shumë shtete pjesëmarrëse të OSBE-së kanë furnizuar me armë si Armeninë dhe Azerbajxhanin gjatë tre dekadave të fundit.

Tregtia serbe e armëve në Armeni rrezikon marrëdhëniet me Azerët

 

Lidhjet diplomatike midis Serbisë dhe Azerbajxhanit janë thelluar gjatë dekadës së fundit, duke filluar me zbulimin e një monumenti të liderit të ndjerë të Azerbajxhanit Heydar Aliyev në një park të famshëm të Beogradit në vitin 2011.

Në maj të vitit 2018, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe homologu i tij në Azerbajxhan, Ilham Aliyev, djali i Heydarit, nënshkruan një marrëveshje partneriteti strategjik dhe një numër marrëveshjesh tregtare.

Megjithatë, Baku ka qenë kundër shitjes së armëve të Serbisë ndaj armikut të saj armen. Nagarno-Karabaku u shkëput nga Azerbajxhani me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990 dhe kontrollohet nga armenët etnikë. Luftimet janë ndezur disa herë që nga lufta, mirëpo shkëmbimet aktuale luftarake  janë më të këqijat në vite.

Në muajin korrik, ministri i jashtëm i Azerbajxhanit shprehu “zhgënjim dhe konfuzion të thellë” rreth transferimit të mortajave serbe dhe armëve të tjera në Armeni, duke thënë se ato ishin përdorur për të sulmuar policinë e Azerbajxhanit.

Tregtia “hedh dyshime në marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin midis dy vendeve në nivelin më të lartë”, u citua Zëvendës Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit Kalaf Kalafov para  ambasadores së Serbisë në Baku, Danica Veinovic.

Në mbrojtjen e Serbisë, Ministri i Tregtisë Ljajiç tha se këtë vit vetëm kompanitë private kishin eksportuar armë në Armeni dhe se Jerevani nuk ishte nën asnjë sanksion.

Vuçiç e pohoi një gjë të tillë me 31 korrik, duke argumentuar se Serbia i kishte shitur shumë më shumë armë Azerbajxhanit të pasur me naftë sesa Armenisë.

“Të dy këto vende janë vende mike për ne,” tha ai. “Ne i kemi shitur dhjetë herë më shumë armë Azerbajxhanit në dy vitet e fundit.”

Ndoshta, si përpjekje për ti riparuar dëmet, Ministri i Brendshëm Nebojsa Stefanovic vizitoi kryeqytetin Baku me 11 gusht për ti diskutuar ‘çështjet e sigurisë’.

Sanksionet nuk janë pengesë për marrëveshjet e Serbisë me kompanitë e lidhura me Tesic

Për vite, i konsideruar si tregtari më i madh i armëve në Ballkan, Tesic e kaloi një dekadë si pjesë e listës së zezë të Kombeve të Bashkuara, midis viteve 2003 dhe 2013, për shkeljen e një embargoje liberiane të armëve.

Sipas Thesarit të SHBA-së, i cili vendosi sanksione ndaj tij në vitn 2017, “Tesic do t’u siguronte drejtpërdrejt ose indirekt ryshfet dhe ndihmë financiare zyrtarëve” në mënyrë që të lidhte kontratat për armë.

‘Vectura Trans’ u sanksionua “për të qenë në pronësi ose e kontrolluar nga, ose për shkak të veprimit ose pretendimit për të vepruar për ose në emër të, direkt ose indirekt, Tesicit”.

“Tesic e ka shfrytëzuar ‘Vectura Trans’ për të përfituar një licencë të miratuar për eksporte, për të lidhur marrëveshje armësh dhe për të përmbyllur kontrata armësh me një qeveri të huaj,” tha Thesari i SHBA në vitin  2019.

Gjetjet e tilla si dhe sanksionet e SH.B.A., megjithatë, nuk i kanë penguar autoritetet serbe të bëjnë biznes me Tesicin.

NIN ka raportuar që kompanitë e kontrolluara ose në pronësi të Tesic kanë blerë armë nga ‘Krusik’ me çmime më të ulëta se ato të paguara nga firmat shtetërore.

Kompania ‘EDePro’, e cila bashkërisht me ‘Krusik’ ka prodhuar raketat G-2000 dhe i ekspozoi ato në një panair armësh në Abu Dhabi në vitin 2017, është kryesisht në pronësi private. E themeluar në vitin 1997, ajo udhëhiqet sot nga Branislav Jojiç, Milivoje Popoviç, Momçillo Sljukiç dhe Sllobodan Petkoviç, megjithëse kompania shtetërore e armëve ‘Jugoimport-SDPR’ zotëron gjithashtu dy përqind të aksioneve.

Megjithëse është regjistruar të merret me “kërkime dhe zhvillime në shkencat teknike dhe teknologjike”, ‘EDePro’ gjithashtu posedon leje shtetërore për eksport dhe import të armëve dhe pajisjeve ushtarake.

Në maj të vitit 2002, kur Serbia ishte pjesë e Jugosllavisë së bashku me Malin e Zi, SH.B.A. thanë se kishin prova se një rrjet i kompanive jugosllave kishin mbështetur një program raketash që ndiqej nga udhëheqësi i atëhershëm libian Muammar Gaddafi.

Këto kompani ishin ‘Jugoimport SDPR’, ‘Brunner’ dhe ‘Infinity’. ‘EDePro’ e Jojic u identifikua se përfaqësonte ‘Jugoimport SDPR’. Ai gjithashtu ka punuar më parë për kompaninë ‘Infiniti’ dhe ishte një nga themeluesit e ‘Brunner’, kompani kjo e konsideruar si një pararendës i ‘EDePro’ për sa i përket qasjes së saj të zhvillimit.

Përkthehu-Nuhi Shala