Në Burgun e Sigurisë së Lartë fillon prodhimi i letrës higjienike

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se ka pranuar donacion nga UNOPS makina për prodhimin e letrës higjienike dhe letrës së kuzhinës.

Sipas një komunikate, përmes këtij donacioni, në Burgun e Sigurisë së Lartë do të angazhohen në punë rreth dhjetë të burgosur, e që sipas tyre, gradualisht synohet edhe rritja e kapaciteteve prodhuese dhe numri i të punësuarve.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes këtij projekti, përveçse synon rehabilitimin edhe risocializimin e personave të burgosur, synon në uljen e shpenzimeve ekonomike në letër higjienike për 50%, si dhe në rritjen e nivelit të higjienës dhe pastërtisë nëpër të gjitha institucionet korrektuese”, thuhet në komunikatën e ShKK-së.

Sipas tyre, me angazhimin e të burgosurve në punë të tilla normalizohet edhe jeta e përditshme në burgje.

“Produktet e prodhuara nga të burgosurit e BSL-së, do të përdoren për nevojat e të gjitha institucioneve korrektuese, e në të ardhmen të plasohen edhe në tregun vendor”, thuhet më tej në njoftim.