Ndyrësi e madhe në tualetin e Stacionit të Autobusëve në Viti

Guaskat e tualetit dhe dyshemeja të mbuluara nga jashtëqitjet, shishet e mbeturina të tjera…

Kjo është gjendja e tualeteve të Stacionit të Autobusëve në Viti.

Niveli i ndyrësisë tregon se tualetet janë në këtë gjendje goxha gjatë kohë.

Lidhur me këtë situatë, KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Shërbimeve Publike të Komunës së Vitisë, Basri Aliun.

Drejtori tha se nuk është i informuar për gjendjen e tualeteve të Stacionit të Autobusëve.

“Jo, nuk jam i informuar për gjendjen e tualeteve në Stacionin e Autobusëve dhe nuk kam pranuar ankesa” – tha Aliu.

Drejtori tha po ashtu se nuk është në përgjegjësinë e tij menaxhimi i Stacionit të Autobusëve.

“Mbikëqyrja e objektit nuk është në kompetencën tonë sepse ne ende nuk kemi formu kompani për menaxhimin e Stacionit të Autobusëve. Kemi provu me Gjilan me iu bashkëngjitë por nuk kemi mundur” – shtoi Basri Aliu.

Në pritje të gjetjes së kompanisë për menaxhimin e Stacionit të Autobusëve, qytetarët që nisen për të kryer nevoja fiziologjike duhet të llogarisin që ato t’i kryejnë nga përtej pragut të tualeteve apo aq sa mund t’i qëndrojnë kundërmimit.